“Mjekësia bojkoton”, me këtë pankartë të madhe studentët e Mjekësisë kanë marshuar drejt ministrisë së Arsimit.
Që prej fillimit të vitit të ri akademik, auditoret e Fakultetit të Mjekësisë janë pothuajse bosh pasi studentët e të gjitha viteve kanë bojkotuar në shenjë proteste.
Njëzëri ata kanë një kërkesë për ministrinë: “Ministrisë i bëjmë thirrje, ne studentët duam zgjidhje”, ndërsa edhe kërkojnë që studentë të tjerë dhe qytetarë të bashkohen qëllimit të tyre.
“S’kisha në plan të ikja, s’kam në plan të kthehem”; “Si mund të kurojnë duart e prangosura”; “Ikëm se mendum se nuk ka shpresë, harruam që shpresa jemi ne”; “Ne e mbyllim godinën dhe nuk ju pyesim fare – studentët e mjekësisë 2023”, këto ishin disa nga shumë pankartat që studentët mbanin në duar.
Ata kërkojnë të ketë një reagim nga Ministria e Arsimit ndërkohë që po bëjnë gati padinë për në Gjykatën Kushtetuese ku besojnë se do të shfuqizohet ligji që i detyron ata të punojnë për 3-5 vite në vendin e tyre pas përfundimit të studimeve./Top Channel/




