Një studim i vogël tregon se dieta mesdhetare mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve abdominale dhe simptomave të tjera te pacientët me sindromën e zorrës së irrituar (IBS). Kjo dietë mund të jetë një alternativë më e lehtë për t’u ndjekur.
Studimi, i publikuar në prill në revistën “Neurogastroenterology & Motility”, sugjeron se dieta mesdhetare mund të ndihmojë në uljen e fryrjes, diarreve dhe kapsllëkut – simptoma të zakonshme të IBS-it, shkruan burimi Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autorit të studimit, Dr. Prashant Singh nga Universiteti i Miçiganit, kjo dietë është një alternativë e vlefshme për ata që nuk e përballojnë dot dietën me pak FODMAP.
Dieta FODMAP është një regjim ushqimor që kufizon konsumimin e disa lloje karbohidratesh që mund të jenë të vështira për t’u tretur nga disa njerëz dhe që shpesh shkaktojnë simptoma të pakëndshme në zorrë, veçanërisht te personat me sindromën e zorrës së irrituar (IBS).
Sindroma e zorrës së irrituar prek deri në 15% të të rriturve, ndërsa dieta ushqyese ndikon ndjeshëm në përbërjen e mikrobiomës së zorrëve, që është thelbësore për shëndetin e sistemit tretës.
Përderisa, dieta FODMAP eliminon përkohësisht disa ushqime për të identifikuar shkaktarët e simptomave, ajo kërkon përkushtim dhe kontroll të rreptë.
Ndërkaq, dieta mesdhetare është më e lehtë për t’u zbatuar dhe përfshin perime, fruta, drithëra të plota, vaj ulliri, peshk dhe produkte me pak yndyrë, duke kufizuar sheqernat, yndyrnat e ngopura dhe ushqimet e përpunuara. Përfitimet e saj anti-inflamatore ndikojnë pozitivisht në shëndetin e zorrëve. /Gazeta Shneta/


