Një analizë e të dhënave të bashkuara sugjeron se vetëm rreth 1 në 10 trajtime të zakonshme, jo kirurgjikale dhe jo invazive për dhimbjet e shpinës janë efektive.
Sipas studimit të publikuar në BMJ Evidence-Based Medicine, lehtësimi i dhimbjes që ofrojnë këto trajtime është vetëm pak më i mirë se ai që arrihet me placebo, transmeton Gazeta Shneta.
Dhimbja e shpinës është shumë e zakonshme dhe invaliduese, dhe 80-90% e rasteve janë të kategorisë “jo specifike”, pasi nuk ka një shkak të menjëhershëm të identifikueshëm. Trajtimet jo kirurgjikale dhe jo invazive rekomandohen si qasja fillestare, por ka shumë mundësi dhe nuk është gjithmonë e lehtë të dihet cilat janë efektive.
Studimi shqyrtoi 301 prova të randomizuara, të kontrolluara me placebo, për trajtime të ndryshme të dhimbjeve të shpinës jo-specifike, përfshirë ilaçe dhe trajtime jo-farmakologjike si ushtrime, masazh dhe manipulim të shtyllës kurrizore. Trajtimet e testuara përfshinin ilaçe anti-inflamatore jo-steroide (NSAID), opioide, terapi me lazer dhe dritë, akupunkturë dhe terapi manuale të butë.
Analiza tregoi se trajtimet si NSAID-të ishin efektive për dhimbjet akute të shpinës, ndërsa ushtrimet, manipulimi i shtyllës kurrizore dhe antidepresantët ishin të dobishme për dhimbjet kronike, por efekti ishte i vogël.
Studimi theksoi se ka nevojë për më shumë studime të mëdha dhe të cilësisë së lartë për të reduktuar pasigurinë mbi efektivitetin e shumë trajtimeve të tilla.




