Të apasionuarit e psikologjisë, miqtë, të afërmit, studentët dhe njohësit e fushës së psikologjisë, u mblodhën bashkë më 21 mars për të ndjekur nga afër promovimin e profesorit dhe psikoterapistit, Fitim Uka, i cili promovoi librin e tij të dytë me titull “Teoria dhe psikoterapia e kohezionit të brendshëm”, shkruan KultPlus.
I gjithë ky promovim, i cili filloi nga hyrja në derën e Sallës së Kuqe, e deri te fjala e Ukës, u përcoll me emocione, duke tentuar të tregojë se emocionet janë pjesë e rëndësishme e natyrës njerëzore.
I pari për të folur rreth këtij promovimi u ftua Dekani i Departamentit të Psikologjisë, Dashamir Bërxulli, i cili hapjen e fjalimit e bëri me diçka emocionale, konkretisht me një barcoletë.
“Psikoterapia ka edhe humor brenda, por më e rëndësishmja është që ka strukturë, ka një mënyrë të menduarit specifike, dhe është një mënyrë e të kuruarit të njerëzve. Përtej shakas, psikoterapia është një art i shërimit të njerëzve dhe të ofrimit të ndihmës në ato momente kur njerëzit kanë më së shumti nevojë”, u shpreh ai.
Pas Dekanit, i erdhi radha edhe profesorit Aliriza Arënliu, që u shpreh shumë i lumtur për faktin se ishte njëri ndër personat e parë që lexoi librin.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që më është dhënë mundësia që të lexojë një ndër të parët librin e Fitimit. Uka me librin e tij adreson një prej sfidave më të mëdha të shkencës së psikologjisë, atë të ofrimit të një kornize të logjikshme për terapistët dhe studiuesit e hulumtimit. Libri në fjalë tenton ta plotësojë një pyetje madhore të njerëzimit për të ofruar një këndvështrim të natyrës njerëzore”.
Ndërkaq Uka shpalosi edhe gjithë historinë e këtij libri dhe ofroi një “terapi falas” për të gjithë të pranishmit, ku edhe u panë emocione të ndryshme sikurse nga ai por edhe nga të pranishmit.
“Që prej kohës kur jetoj prej së vërteti, përmendem me vetëdije të plotë, kam pyetur “kush jam unë” dhe “kush është bota ime”? Deri vonë pata menduar që këtë pyetje e bëj vetëm unë dhe përgjigjen e saj e kanë gjetur kaherë të tjerët. Kam lakmuar të tjerët për qetësinë që i përcjell, pa e ditur që në fakt të gjithë ishin të trazuar si unë. Më vonë pata kuptuar, që dilemat e mija ishin të secilit prej njerëzve. Besoj janë edhe dilemata tuajat”.
Profesori universitar, u mundua që çdo herë e më shumë të paraqes se rruga për të kuptuar jetën a botën ku jetojmë, i bie nga të kuptuarit e vetës.