Tanket e instaluara në disa prej spitaleve rajonale ende nuk janë licencuar nga autoriteti i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Zyra e Prokurimit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pagoi 447,627,40 euro për t’i furnizuar spitalet rajonale me tanke të oksigjenit të lëngshëm. Me këtë kontratë u shpërblyen dy kompani në dhjetor të vitit të kaluar “Dino” dhe “Lindi”, shkruan Gazeta Shneta.
Por deri më tani tanket e vendosura nga këto dy kompani ende nuk janë licencuar për përdorim nga autoriteti i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Këtë e ka konfirmuar vet QKUK përmes një përgjigje për Gazetën. “Kontrata është në implementim e sipër ku poashtu është edhe licencimi për përdorimin e rezervuarëve të Oksigjenit të Lëngët Medicinal nga autoritetet e MZHE-së është në proces e sipër”, thuhet në përgjigje.
Deri më tani këto dy kompani kanë vendosur tanket në spitalin e Gjilanit dhe atë të Pejës.
Kontrata për këto tanke pritej që të lehtësonte furnizimin e spitaleve me oksigjen, pasi deri më tani këto spitale nuk kanë pasur oksigjen qendror, ndërsa pacientët janë trajtuar vetëm me bombola.
Njëra nga kompanitë që është duke bërë instalimin e tankeve, “Lindi” ishte akuzuar se ka bërë furnizimin e spitaleve me oksigjen duke mos pasur autorizim marketingun për të kryer këtë veprimtari.
Furnizimin pa licencë e kishte pranuar vet ish-drejtori i Spitalit të Vushtrrisë Mursel Pllana, i cili më pas u shkarkua nga kjo pozitë. /Gazeta Shneta/