Qendra kombëtare e Telemjekësisë së Kosovës ka njoftuar se ka përmbyllur me sukses projektin “Avancimi i Sistemeve të Telemjekësisë” me anë të të cilit është arritur instalimi i sistemeve të cilat ofrojnë kualitet të lartë komunikimi dhe mundësi më të mëdha në aplikimin e telemjekësisë në vende dhe rrethana të ndryshme.
Ky projekt është financuar nga SHSKUK – MSH në kuadër të projekteve kapitale dhe është implementuar nga kompania Storm ICT.
Njoftimi i plotë i QKTK-së
QKTK me sukses përmbyll projektin për Avancimin e Sistemeve të Telemjekësisë
Prishtinë 10 Maj 2019 – Qendra kombëtare e Telemjekësisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses projektin “Avancimi i Sistemeve të Telemjekësisë” me anë të të cilit është arritur instalimi i sistemeve të cilat ofrojnë kualitet të lartë komunikimi dhe mundësi më të mëdha në aplikimin e telemjekësisë në vende dhe rrethana të ndryshme. Ky projekt është financuar nga SHSKUK – MSH në kuadër të projekteve kapitale dhe është implementuar nga kompania Storm ICT.
I ndarë në dy vite implementimi, faza e parë e këtij projekti është përmbyllur me sukses në Tetor të vitit 2018 ku është bërë instalimi i sistemit për videokonferenca dhe sistemit të zërimit në amfiteatrin e Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë në Prishtinë. Po ashtu, në këtë fazë është instaluar edhe infrastruktura qendrore për menaxhimin dhe ruajtjen e videokonferencave si dhe integrimi i infrastrukturës së vjetër në mënyrë që sistemi të vazhdoj të funksionoj edhe me sistemet e vjetra deri sa të përfundoj faza e dytë e këtij projekti dhe të gjitha sistemet e vjetra në qendrat rajonale të telemjekësisë të zëvendësohen me ato të reja.
Sistemi mobil i videokonferencave është kompletuar dhe funksionalizuar plotësisht dhe tani mund të përdoret qoftë për qëllime edukimi apo edhe transmetim nga ambiente të ndryshme si salla operacioni. Amfiteatri është pajisur me sistem videokonferencash me kualitet të lartë të imazhit dhe zërit, monitor dhe projektor për të shfaqur në të njëjtën kohë prezencën lokale, atë në distancë dhe prezantimet. Serverët e infrastrukturës qendrore janë instaluar dhe konfiguruar në dhomën e serverëve. Gjithashtu, për tu përshtatur me specifikat e sistemeve të reja, në bashkëpunim me ofruesin e shërbimeve të internetit dhe VPN-it janë bërë konfigurimet dhe përshtatjet e nevojshme të rrjetit.
Në fazën e dytë janë instaluar sistemet e reja dhe të avancuara në qendrat rajonale të telemjekësisë në spitalet e përgjithshme në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Gjilan si dhe në QKMF në Skenderaj. Në këtë fazë është bërë zgjerimi i rrjetit me dy qendra të reja të telemjekësisë, atë në spitalin e përgjithshëm në Vushtrri dhe Ferizaj.
Qendrat rajonale të telemjekësisë tashme janë pajisur me kamera të cilësisë së lartë me transmetim imazhi të kualitet 4K si dhe me pajisjet tjera si TV me kualitet të lartë dhe audio sistem.
Instalimet fizike si dhe konfigurimet janë bërë me një nivel të lartë profesionalizmi duke ruajtur njëkohësisht edhe estetikën e hapësirave në të cilat janë kryer këto instalime.
Pas përfundimit të instalimeve dhe konfigurimeve është bërë trajnimi i stafit në secilën qendër në përdorimin, konfigurimin dhe mirëmbajtjen e këtyre sistemeve. Në varësi të nevojave në të ardhmen, trajnime plotësuese do të mbahen për stafin e secilës qendër e cila identifikon një nevojë të tillë.
Sistemet janë testuar me secilën pikë si dhe është bërë një stres test i sistemit ku janë lidhur mbi 30 pika brenda dhe jashtë vendit dhe kanë qëndruar në lidhje për më shumë se 3 orë duke mos shfaqur asnjë problem dhe mbingarkesë të infrastrukturës qendrore apo pikave fundore.
Tashmë këto pajisje kanë filluar të shfrytëzohen me kapacitet të plotë brenda rrjetit kombëtar të telemjekësisë si dhe në nivel ndërkombëtar duke ofruar një kualitet dhe përvojë të jashtëzakonshme komunikimi.
Menaxhimi i këtij projekti është bërë me një nivel të lartë profesionalizmi nga ana e stafit të QKTK-SHSKUK me një bashkëpunim dhe përkrahje të jashtëzakonshme nga ana e kompanisë implementuese.
Të gjitha pajisjet kanë garancion tre vjeçar si dhe kompania do të ofroj përkrahje Premium për të njëjtën periudhë kohore.