Një rritje e vogël e tensionit të gjakut gjatë shtatzënisë mund të lidhet me rritje të rrezikut për komplikime serioze si për nënën ashtu edhe për foshnjën, sipas një studimi të ri.
Studiuesit zbuluan se vetëm një rritje prej 10 pikësh në tensionin sistolik të gjakut – vlera e sipërme që tregon presionin në enët e gjakut gjatë rrahjeve të zemrës – lidhet me një rrezik më të lartë për lindje të parakohshme, lindje të foshnjave me peshë të ulët dhe probleme të tjera gjatë shtatzënisë, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
“Gjetjet tona tregojnë se tensioni më i lartë i gjakut te nëna rrit rrezikun për rezultate të pafavorshme të shtatzënisë, përfshirë lindjen para kohe, lindjen e foshnjave më të vogla, nevojën për nxitje të lindjes, diabetin gestacional dhe shtrimin e të porsalindurit në njësinë e kujdesit intensiv neonatal”, tha Maria Magnus, studiuese e lartë në Qendrën për Fertilitet dhe Shëndet pranë Institutit Norvegjez të Shëndetit.
Sipas saj, këto rezultate mund të prekin një numër të madh grash, pasi obeziteti dhe mosha më e madhe e lindjes po rriten, duke shtuar edhe numrin e grave në moshë riprodhuese me tension të lartë. Rreth një në 10 gra shtatzëna përballet me këtë problem shëndetësor.
Studimi analizoi rrezikun gjenetik për tension të lartë te më shumë se 1 milion gra evropiane, nga të cilat afro 715 mijë kishin mbetur shtatzëna.
Rezultatet treguan se gratë me një rritje gjenetike prej 10 mmHg në tensionin sistolik kishin:
– 11% rritje të rrezikut për lindje të induktuar, diabet gestacional ose nevojë që foshnja të trajtohej në kujdes intensiv neonatal;
– 12% rritje të mundësisë për lindje të parakohshme;
– 16% rritje të rrezikut që foshnja të ishte më e vogël se pesha normale për javën e shtatzënisë;
– 33% rritje të mundësisë për peshë të ulët në lindje.
“Ulja e tensionit të gjakut te nëna ka gjasa të sjellë përfitime të gjera për shëndetin e nënës dhe fëmijës”, përfunduan studiuesit.
Carolina Borges, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se përdorimi i të dhënave gjenetike ndihmoi studiuesit të kuptonin më mirë nëse vetë tensioni i lartë i nënës shkakton komplikimet gjatë shtatzënisë. /Gazeta Shneta/


