Ushtrues Detyre në Ministri të Shëndetësisë, Ushtrues Detyre në drejtorinë e përgjithshme të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Ushtrues Detyre në këtë spital e ushtrues detyre në atë klinikë – një sistem shëndetësor i tëri me pozita të përkohshme.
Qeveria tash e 21 ditë ka emruar Dafina Gexha – Bunjakun si Ushtrues Detyre në Ministri të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së ish-ministrit, Rifat Latifi. Mos stabilizimi i kësaj ministrie e ka përcjellë sistemin shëndetësor tash e dy vite. Brenda kësaj periudhe janë ndërruar dy herë ministrat e Gexha – Bunjaku dy herë mori pozitën UD në këtë ministri.
Qeveria ende nuk ka dal me një ministër apo ministre të re të Ministrisë së Shëndetësisë e në anën tjetër pothuasje në secilin takim e debat publik theksohet se shëndetësia është prioritet.
Hallka e gjatë e pozitave të përkohëshme apo Ushtrues Detyre fillon nga drejtoria e përgjithshme e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, nën udhëheqjen e Pranvera Zejnullahu – Raçi. Ajo erdhi në këtë pozitë pas dorëheqjes së ish – drejtorit, Valbon Krasniqi.
Sa i përket klinikave në Qendrën Klinike Universitare, Onkologjia – dhe Kardiokirurgjia janë dy njësi që kanë mbetur me ushtrues detyre. Onkologjia udhëhiqet nga Arben Bislimi ndërsa klinika e zemrës nga Rifat Brahimaj.
Në QKUK poashtu ka edhe shumë pozita tjera udhëheqëse të reparteve që mbulohen nga ushtrues detyre.
Në pozitën e përkohshme të drejtorisë është edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Selajdin Sallahu.
Në këtë spital brenda një viti janë ndërruar tre Ushtrues Detyre. Pas mandatit tre vjeçar të Jeton Zeqirit pozitën e përkohshme të drejtorit e mori Halit Gërbeshi, deri sa ShSKUK e largoi përkohësisht nga puna pas akuzave për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Pas tij, pozitën si UD e mori Isa Berisha disa muaj më vonë vendosi të dorëhiqet nga kjo pozitë ndërsa aktualisht në pozitën e përkohshme si drejtor është kardiologu, Selajdin Sallahu.
Pozitat si Ushtrues Detyre në këtë spital, nuk përfundojnë tek menaxhmenti, përveç drejtori të administratës dhe kryeinfermierës të gjithë shefat dhe drejtorët tjerë në këtë spital janë në pozitën Ushtrues Detyre.
“Së shpejti do të kërkojë konkurs të mbrendshëm për të gjitha pozitat”, e konfirmoi Sallahu, për Gazetën Shneta.
Në gjendje hiç më të mirë nuk është as Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Drejtoria mjekësor, shefi i Kirurgjisë, Bllokut Operativ, Maternitetit, Pediatria, Emergjenca, Interno dhe Radiologjia janë në pozitën Ushtrues Detyre.
Sipas shefit të personelit, Abdullah Klinaku, gjatë javës së ardhshme pritet të fillojnë konkurset e brendshme.
“Këtë javë kemi pranuar aprovimin nga ShSKUK për shpalljen e Konkursit të Brendshëm, i cili publikohet javën në vijim”, tha Klinaku për Gazetën Shneta.
Rekord të pozitave Ushtrues Detyre mbanë Spitali Rajonal në Mitrovicë. Në këtë spital, sipas burimeve të Gazetës Shneta, janë 50 pozita UD.
UD drejtori mjekesor, UD drejtori i administratës, UD drejtori i infermierisë, UD zyrtari certifikues, UD shefi i kirurgjisë, UD kryeinfermierja e kirurgjisë, UD shefi i ortopedise, UD kryeinfermieri i kirugjisë, UD shefi i urorogjisë, UD kryeinfermieri i urologjisë, UD shefi i ORL-së, UD kryeinfermieri i ORL-së, UD shefi i Oftalmologjisë, UD kryeinfermieria e Oftalmologjisë, UD shefi i urologjisë, UD kryeinfermieri i urologjisë, UD shefi i anestezionit, UD kryeinfermieri i anestezionit, UD shefi i emergjencës, UD kryeinfermieri i emergjencës, UD shefi i radiologjisë, UD kryeinfermieri i Radiologjisë, UD shefi i Laboratorit, UD kryeinfermieria e laboratorit, UD shefi i internos, UD kryeinfermieria e internos, UD shefi i pulmologjis, UD kryeinfermieri i pulmologjisë, UD shefi i dermatologjisë dhe UD kryeinfermieria e dermatologjisë, UD shefi i neurologjisë, UD kryeinfermieri i neurologjisë, UD kryeinfermieria e infektivës, UD shefi i alergologjisë, UD kryeinfermiere e alergologjisë, UD shefi i patologjisë, UD kryeinfermiere e patologjisë, UD shefi i fiziatrisë, UD kryeinfermieri i fiziatrisë, UD shefi i mirëmbajtjes, UD shefi i autoparkut, UD shefi i barnatorës, UD përgjegjësi i depos qëndrore, UD përgjegjësi i kuzhinës, UD përgjegjësi i rrobalarjes, UD përgjegjësi i sigurimit, UD përgjegjësi i higjienës dhe pastërtisë, UD përgjegjësi i oksigjenimit, UD përgjegjës në bioingjinjeri dhe UD përgjegjës në insulator.
Drejtoresha e këtij spitali, Luljeta Zhubi, është pyetur nga Gazeta Shneta se cilat pozita janë me ushtrues detyre mirëpo e njejta nuk ka dhënë detaje, vetëm e ka konfirmuar se ka pozita të përkohshme në spital dhe se do të hapen së shpejti konkurset.
Gazeta po ashtu e ka pyetur pse deri më tani nuk ka hapur konkurse për këto pozita, por e njejta nuk është përgjigjur.
Sipas informacioneve të Gazetës planifikimi për hapje të konkursit në të gjitha pozitat ka qenë muaji prill 2022, por një gjë e tillë nuk është bërë.
Pozita Ushtrues Detyre ka edhe Spitali Rajonal në Gjilan. Këtë e konfirmon edhe drejtori i përgjithshëm, Arsim Emini, por nuk tregon detajet se cilat pozita janë me Ushtrues Detyre.
Tash e tre muaj në pozitë të përkohshme është drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta në Spitalin e Përgjithshëm të Pejë, ndërsa sipas zëdhënësit të spitalit, pozitat tjera janë të rregullta.
Sipas Ligjit Nr. 03/L-149 për shërbimin civil, Neni 30, Zëvendësimi i nëpunësit civil në rast të mungesës, ushtrues detyre nuk mund të emrohet më tepër se tre muaj, ndërsa në institucionet shëndetësor në vend pothuasje asnjëherë një gjë e tillë nuk përfillet.
“Serioziteti i Qeverisë për një shëndetësi të mirë”
Në gjendje të rënduar e quan shëndetësinë në Kosovë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu.
Menxhimin e sektorit të shëndetësisë me pozitat Ushtrues Detyre ajo i konsideron të rrezikshme, pasi që deputetja thotë se institucionet shëndetësore mund të menaxhohen nga personat të cilët nuk i përmbushin kriteret.
“Sikur të mos mungonin problemet e shumëta, sektori përballet edhe me praktikën e pozitave me Ushtrues Detyre, praktikë kjo e cila rrezikon që këto pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme dhe shpërfaqë mungesë të konkurrencës së hapur”, u shpreh ajo për Gazetën Shneta.
Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi vlerëson se Qeveria duhet të reflektoj.
“Me nje situatë alarmante në shëndetësi, Qeveria do të duhej të reflektonte. Por, duke lënë pozitat kyqe me Ushtrues Detyre, për një periudhë të gjatë kohore tregon se me cfarë serioziteti po e trajton shëndetësinë kjo Qeveri”, tha ajo, e cila po ashtu theksoi se shëndetësia në Kosovë ka probleme edhe në furnizim me barna, mungesë të personelit, mungesë të pajisjeve e kushteve të mjerushme.
Papërgjegjësi e quan të gjithë këtë situatë, analisti politik, Gazmir Raci.
Pozitat e përkohshme në të cilat nuk mund të merren vendime, sipas Racit, janë disa nga faktorët që shëndetësia është në këtë gjendje.
“Njerëzit që janë Ushtrues Detyre nuk e jepin maksimunim e tyre se e din që janë të përkohshëm. Qeveria duhet të trajtoj shumë më seriozisht punën e Ushtruesëve, nuk janë vetëm në këtë sektor por në shumica e administratës në sektorin qendror e lokal ka ushtrues detyre”, tha ai për Gazetën Shneta.
Mos plotësimin e këtyre pozitave, analisti politik e quan dështim të Qeverisë aktuale dhe për këtë dikush duhet të marrë përgjegjësi.
Me ushtrues detyre janë edhe Inspektorati Shëndetësor, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Agjencia për Pajisje dhe Produkte Medicinale.
Gazeta ka dërguar pyetje në MSh dhe në ShSKUK në lidhje me këto pozita por të njejtët nuk janë përgjigjur. /Gazeta Shneta/




