Programi Kombëtar për Kontrollin e Tuberkulozit i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbajtur ditën e sotme një takim me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, profesionistë shëndetësor si dhe të organizatave joqeveritare.
Numri i rasteve të prekur me tuberkuloz është minimizuar gjatë viteve duke u regjistruar 701 raste në vitin e kaluar që tregon për një rënie mjaft të madhe nga 1700 sa ka qenë pas luftës, shkruan Gazeta Shneta.
Derisa është bërë thirrje për ndërgjegjësim nga kjo sëmundje e rrezikshme, në këtë takim poashtu u vlerësuan edhe storiet më të suksesshme të publikuara nga mediat vendore.
Për më shumë, lexoni postimin e plotë nga Ministria e Shëndetësisë: “Është koha, fund tuberkulozit!”
Përfaqësues nga Programi Kombëtar për Kontrollin e Tuberkulozit (PKKT) të Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me partnerët implementues të Programit, si Organizata Botërore e Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë; Fondi për Zhvillim në Komunitet (CDF); OJQ “KeA”, përfaqësues të institucioneve shëndetësore; profesionistë shëndetësor dhe media, me moton: “Është koha, fund tuberkulozit!”, shënuan sot në Prishtinë Ditën Botërore të Tuberkulozit.
Në këtë takim u theksua se Kosova ka shënuar progres në uljen e numrit të rasteve me tuberkuloz, prej 1700 raste në vit sa kanë qenë menjëherë pas luftës në 701 raste të regjistruara në vitin 2018.
Në këtë ngjarje u bë thirrje për rritje të ndërgjegjësimit për sëmundjen e tuberkulozit, luftimin e stigmës dhe diskriminimit si dhe u ritheksua fakti se terapia për trajtimin e TB në Kosovë jepet falas për pacientë, ndërsa mbulohet nga granti i Fondit Global dhe Ministria e Shëndetësisë.
Duke vlerësuar parneritetin dhe kontributin e mediave në informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për sëmundjen e TB, nga partnerët implementues, në shënimin e Ditës Botërore për TB u ndanë edhe çmimet për storiet më të suksesshmë të publikuara në mediat kosovare për tuberkulozin 2019.