Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se tre pacientët e dyshimtë me koronavirus, kanë rezultuar negativ në testet laboratorike.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme, më 25 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tre raste të dyshimta në Koronavirus COVID-19.
Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B.
Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve.
Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B”, thuhet në njoftimin zyrtar të IKSHP-së. /Gazeta Shneta/
——————————————–
Tre raste të dyshimta me Covid-19 në Klinikën Infektive, pritet rezultati i analizave
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se sot janë paraqitur tre raste të dyshimta me koronavirusin e ri Covid-19. Te tre personat kanë ardhur nga Italia.
“Një shtetas jo kosovar, 69 vjeç i cili ka qëndruar në Itali. Dy shtetas të tjerë kosovarë, 25 vjeç dhe 23 vjeç, të cilët kanë ardhur sot nga Italia”, thuhet në njoftimin e QKUK-së, transmeton Gazeta Shneta.
Ky institucion ka njoftuar se pacientëve i janë marr mostrat dhe po presin për rezultatin e analizave laboratorike.
“Janë marrë mostrat për analizë dhe janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për verifikim. Klinika Infektive njofton se nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim, meqë janë vetëm raste të dyshuara”, thuhet në njoftimin e QKUK-së. /Gazeta Shneta/