Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka kërkuar nga kompania Coca-Cola të përdorë sheqer kallami në pijet e saj në SHBA, pavarësisht popullaritetit në rritje të variantit pa sheqer të kësaj pijeje.
“Kam folur me Coca-Colën për të përdorur sheqer të VËRTETË kallami dhe ata kanë pranuar,” shkroi Trump në rrjete sociale. “Kjo do të jetë një lëvizje e mirë – do ta shihni. Është thjesht më e mirë!”
Coca-Cola nuk e konfirmoi ndryshimin, por tha se e vlerëson entuziazmin e Presidentit dhe se do të ndajë së shpejti detaje për produktet e reja, raporton Euronewa Health transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, analisti Duane Stanford nga Beverage Digest thekson se Coca-Cola po përfiton shumë nga shitja e pijeve pa sheqer, të cilat përdorin ëmbëlsues si aspartami dhe stevia.
Në tremujorin e parë të vitit 2025, shitjet globale të Coca-Cola Zero Sugar u rritën me 14%, krahasuar me një rritje prej vetëm 2% të të gjithë produkteve.
Stanford është skeptik për një kalim të plotë drejt sheqerit të kallamit, duke përmendur vështirësi logjistike dhe mungesë të furnizimit të mjaftueshëm në SHBA. Ai beson se kompania mund të ofrojë një version të veçantë me sheqer kallami, ashtu si Pepsi që nga viti 2009.
Ndërkohë, industria e misrit ka reaguar kundër idesë. Shoqata e Rafinerive të Misrit paralajmëroi se zëvendësimi i shurupit të fruktozës me sheqer kallami mund të kërcënojë mijëra vende pune në prodhimin amerikan. /Gazeta Shneta/




