Është mbajtur sot tryeza e diskutimit për Listën e Barnave Esenciale, disa ditë pas shfuqizimit të vendimit për miratimin e kësaj liste nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia para disa ditësh miratoi dhe më pas shfuqizoi vendimin për Listën e Barnave Esenciale me arsyetimin se ka ndodhur një gabim teknik. Këtë arsyetim e dha edhe sot për Gazetën Shneta, kur u pyet derisa po merrte pjesë në një tryezë për diskutimin e kësaj liste me përfaqësues të shoqërisë civile dhe kompanive farmaceutike, shkruan Gazeta Shneta.
Vitia tha se me rritjen e buxhetit për barna në 60 milionë Euro, është mundësuar që të shtohen barna të reja në listë. Ai është zotuar se do të merren parasyshë pakënaqësitë dhe vërejtjet e të gjitha palëve.
E pakënaqësi kishte goxha shumë veçanërisht nga përfaqësuesit e kompanive farmaceutike.
Kryetari i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutik Milaim Abdullahu tha se lista e barnave esenciale e prezantuar në draftin e fundit ka shumë probleme. Sipas tij, në këtë listë i është dhënë monopoli disa kompanive me disa artikuj. Abdullahu tha se përmes kufizimit të sasisë në mililitra është eliminuar konkurrenca tek disa produkte duke ua mundësuar tregun vetëm kompanive të caktuara.
Kryesuesi i Komitetit Kyç për LBE Driton Vela ka thënë se lista e re i ka eliminuar disa mangësi nga lista e vitit 2019 dhe janë vendosur indikacionet për të gjitha produktetet. Ai tha se të gjitha propozimet në Komitet janë bërë duke i marr parasyshë standardet e OBSH-së, dhe jo se cilat produkte i përkasin cilës kompani.
Skender Kutllovci nga kompania “Medical Group” e ka kritikuar Komitetin pasi sipas tij është influencuar nga kompani të caktuara.
“Ka pas shumë gabime lista e kaluar, shumë monopole dhe të cilat nuk janë eliminuar në listën e re. Ka shumë influencë. E kemi një listë ku një produkt i merr 6 milionë”, ka deklaruar Kutllovci.
Edhe Shqipe Gashi nga kompania “Amicus” është ankuar duke thënë se është bërë gabim në përcaktimin e sasisë në produktin e kontrastit.
Me disa kritika për kostimin dhe vlerësimin e barnave është shfaqur edhe Sami Uka, përfaqësues i kompanisë “Roche” dhe ish-këshilltar i ministrit Arben Vitia. Uka ka propozuar që Ministria e Shëndetësisë të blej produktet me kosto të lartë përmes negocimit pasi sipas tij kjo formë do të kishte kosto më të ulët për buxhetin.
Për këtë çështje i është përgjigjur Sekretari i MSH-së Naim Bardiqi i cili ka thënë se Ligji i Prokurimit nuk ua mundëson një gjë të tillë. /Gazeta Shneta/