Turqia ka regjistruar rënien më të theksuar të lindshmërisë në Evropë në dhjetëvjeçarin e fundit, sipas të dhënave zyrtare dhe vlerësimeve të ekspertëve.
Norma totale e fertilitetit (TFR) ka rënë nga 2.11 në vitin 2013 në 1.51 në vitin 2023, duke përfaqësuar uljen më të madhe mes 34 vendeve evropiane.
Presidenti i Recep Tayyip Erdoğan e ka cilësuar situatën si shqetësuese, ndërsa autoritetet e kanë shpallur vitin 2025 si “Viti i Familjes” në përpjekje për të frenuar trendin në rënie, shkruan Euronews Helth transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se rënia është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, socialë dhe institucionalë. Pasiguria ekonomike, inflacioni i lartë dhe rritja e kostove të strehimit kanë ulur fuqinë blerëse të familjeve, duke shtyrë shumë çifte të vonojnë ose të rishqyrtojnë planet për fëmijë.
Sipas studimeve, fenomeni nuk shpjegohet vetëm me shtyrjen e lindjeve në moshë më të vonë. Një element kyç është rënia e numrit të familjeve që vendosin për fëmijën e tretë, ndërsa po forcohet modeli i familjes me dy fëmijë dhe qasja “cilësi mbi sasi”.
Analistët vërejnë gjithashtu se mjediset e punës jo miqësore për familjen, mungesa e çerdheve të përballueshme dhe kostot në rritje për rritjen dhe edukimin e fëmijëve po e bëjnë prindërimin më të vështirë ekonomikisht.
Në plan afatgjatë, urbanizimi i shpejtë, rritja e arsimimit të grave dhe pjesëmarrja më e lartë e tyre në tregun e punës kanë ndikuar në uljen graduale të lindshmërisë, një model i ngjashëm me vendet e tjera evropiane. Megjithatë, ekspertët theksojnë se këta faktorë nuk e shpjegojnë plotësisht rënien e shpejtë të viteve të fundit.
Të dhënat tregojnë edhe ndryshime në sjelljen familjare: mosha mesatare e grave në lindjen e parë është rritur nga 25.5 vjeç në vitin 2014 në 27.3 vjeç në vitin 2024, ndërsa mosha e martesës së parë është shtyrë. Paralelisht, raporti divorc–martesë është rritur ndjeshëm.
Një faktor tjetër i përmendur nga studiuesit është ndryshimi në “tregun e martesës”, pasi gratë e reja në Turqi po arrijnë nivele më të larta arsimimi dhe suksesi profesional sesa burrat, duke ngushtuar numrin e partnerëve potencialë që plotësojnë pritjet e tyre.
Pavarësisht rënies së fortë, norma e fertilitetit në Turqi mbetet ende mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila qëndron në rreth 1.38 fëmijë për grua.
Ekspertët paralajmërojnë se pa përmirësime në stabilitetin ekonomik dhe politikat mbështetëse për familjen, trendi në rënie mund të vazhdojë edhe në vitet në vijim./Gazeta Shneta/




