SHSKUK ka iniciuar një ritenderim të çuditshëm për furnizim me oksigjen duke e ulur sasinë e planifikuar nga procedura paraprake nga 193000 kg në 166900 kg, dhe duke e rritur çmimin për rreth 45 për qind nga 229 mijë për 12 muaj në 333 mijë për kohëzgjatjen e njëjtë.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës është duke proceduar një tender në mënyrë mjaft të çuditshme. Ky institucion e ka iniciuar fillimisht një procedurë të planifikuar për 12 muaj me 193000 kg oksigjen me çmim mbi 229,670 Euro, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka mësuar nga burime brenda SHSKUK-së se kjo procedurë është anuluar për shkak se ishte tejkaluar buxheti i planifikuar për të njëjtën. Poashtu sipas informatave arsye për anulim ishte edhe sasia e madhe e planifikuar.
E sasia në procedurën e re është ulë ndërkaq çuditshërisht është rritur çmimi për rreth 45 për qind.
Sasia nga 193 mijë kg ka rënë në 166900 kg derisa çmimi ka fluturuar në mbi 333,800 Euro.
Zyrtarët e SHSKUK-së nuk e kanë dhënë një sqarim të qartë se pse është ulur sasia dhe pse është rritur çmimi. Sipas shefit të Zyrës së Prokurimit Selami Krasniqi, çmimi është përcaktuar nga komisioni për çmime referente në Barnatoren Qendrore. E shefja e kësaj të fundit, Shqipe Fetahu, ka thënë se çmimi referent është përcaktuar duke krahasuar çmimin e oksigjenit në rajon, në spitalet private por edhe nëpër komuna.
“Çmimi referent është përcaktuar duke krahasuar çmimin e oksigjenit në rajon, në spitalet private por edhe nëpër komuna. Në të gjitha këto institucione kemi verejtur një rritje të çmimit për oksigjen”, ka deklaruar Fetahu. Por Udhëzimi Administrativ 02/2019 për Përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, në nenin 6 pika 1 e përcakton se çmimet referente përcaktohen nga vendet e rajonit Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Kroaci. Asnjë nga këto vende nuk i ka përmendur Fetahu në përgjigjet e saj.
Sipas Fetahut oksigjeni qenka jetë shpëtues dhe nuk iu lejohet që të kenë vonesa. “Kemi të bëjmë me një produkt jetë shpëtues dhe nuk na lejohet ndonjë vonesë gjatë procesit të inicimit”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër Shefi i Prokurimit është arsyetuar duke thënë se aktualisht në Kosovë vetëm një kompani ka Autorizim Marketing për oksigjenin medicinal dhe mohon të jenë ndikuar nga kjo situatë në përcaktimin e çmimit.
“Oksigjeni medicinal është pjesë e listës esenciale dhe nuk mund të furnizohet pa autorizim marketingu në Kosovë. Më herët kanë qenë me AM tre OE për këtë produkt ndërsa tani sipas listës publike në AKPPM është vetëm një prodhues i oksigjenit medicinal i regjistruar me AM në Kosovë. Vlera e parashikuar është bërë në bazë të vlerës së tregut të rajonit. Jemi të obliguar të bëjmë zgjidhje për një produkt esencial siç është oksigjeni medicinal nuk bëhet fjalë për kurrfarë ndikimi”, ka deklaruar Krasniqi.
Gazeta ka mësuar se aktualisht Autorizim Marketing për oksigjenin medicinal ka vetëm kompania “Medica” e cila e përfaqëson prodhuesin “Messer” nga Serbia. Kjo kompani ka instaluar edhe mbushtoren për bombola të oksigjenit të gazët në Prishtinë.
“Medica” aktualisht ka në fuqi një kontratë me SHSKUK-në të lidhur vitin e kaluar dhe sipas burimeve të Gazetës brenda këtij institucioni, shpenzimi i kontratës nuk e ka kaluar më shumë se 25 për qind.
SHSKUK më datën 2 shtator të vitit të kaluar e kishte shpërblyer kompaninë “Medica” me tenderin emergjent në vlerë 441,600 Euro ndonëse vlera e parashikuar kishte qenë 345,600 Euro në kohëzgjatje prej 12 muaj. Sasia e planifikuar me këtë kontratë ishte 960000 litra gaz medicinal (Inhalim). /Gazeta Shneta/