Vajza e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi, ka specializuar në lëminë e parodontologjisë dhe mjekësisë orale.
Ajo ka thënë se këtë titull ia dedikon familjes së saj, në veçanti babait të saj Jakup Krasniqit, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë së bashku me themeluesit tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
“Mbi sakrificat e tyre u ngrita unë. Prandaj, sot këtë arritje ia dedikoj babit tim, i cili lirinë tonë vazhdon ta mbrojë me lirinë dhe trupin e tij, dhe mamit tim, gruas më të fortë që kam njohur”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë i Gresë Krasniqit:
Sot, para Komisionit të Lartë Vlerësues, me kryetare të komisionit Prof. Asoc. Dr. Zana Sllamniku Dalipi dhe anëtarë të komisionit Dr. Sc. Kastriot Meqa dhe Prof.Ass.Dr. Visar Bunjaku mora titullin:
SPECIALISTE E PARODONTOLOGJISË DHE MJEKËSISË ORALE
Dua të falënderoj të gjithë kolegët që, gjatë këtij rrugëtimi, u bënë miq të mi.
Nga zemra dua të falënderoj bashkëshortin tim, Sadikun, i cili më dhuroi jo vetëm dashuri, por edhe qetësi, duke krijuar kështu kushtet që unë të fokusohem në karrierën time, së bashku me engjëllin tonë Odetën, të cilët çdo ditë e zbukurojnë jetën time në mënyra që nuk i kisha imagjinuar më herët dhe janë motivi im.
E mbi të gjithë, sot dua të falënderoj familjen ku u rrita, ata që ndërtuan themelet e gjithçkaje që unë sot kam dhe jam, babin, mamin, Qendresën, Altinin dhe Çlirimtaren.
Ky titull, dhe çdo arritje e imja, është një dedikim i përhershëm për prindërit e mi të mrekullueshëm, për dashurinë me të cilën më kanë rritur, për lumturinë që më kanë dhuruar, për forcën dhe mbështetjen e tyre të pakushtëzuar, për harmoninë që na kanë sjellë në shtëpi edhe atëherë kur bota nën këmbët tona dukej se po shembej.
Mbi sakrificat e tyre u ngrita unë. Prandaj, sot këtë arritje ia dedikoj babit tim, i cili lirinë tonë vazhdon ta mbrojë me lirinë dhe trupin e tij, dhe mamit tim, gruas më të fortë që kam njohur.
Uroj që të jemi së bashku shumë shpejt dhe përgjithmonë!
Dr. Spec. Gresa J. Krasniqi




