Vazhdon largimi i mjekëve nga Kosova, shkak shihet politizimi i shëndetësisë

2021-01-10 në ora 11:53

Ka vazhduar edhe në vitin 2020 trendi i kërkesave të mjekëve për marrjen e vërtetimeve për t’u larguar nga Kosova.

Numri i atyre që kanë arritur të largohen është zvogëluar në vitin që lamë pas, si pasojë e pandemisë, kështu tha kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu për një intervistë për Ekonomia Online.

Numri ishte më i vogël vitin e kaluar, sesa vitet e mëhershme, por arsye për këtë shihet pandemia.

“Gjatë vitit 2020 kemi pasur 92 kolegë që kanë kërkuar vërtetimin që u duhet për regjistrim në shtetet ku drejtohen dhe është trend si i viteve të kaluara. Vitin 2020 numri ka qenë më i vogël, për shkak të barrikadës së qasjes së tregut gjerman. Mundësia e qarkullimit ka qenë më e pakët për shkak të pandemisë dhe kjo neve na brengos, sepse janë mjekë të rinj”, ka thënë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, për Ekonomia Online. “Një pjesë e madhe e tyre veçse janë akomoduar në shtete të ndryshme, por shumica prej tyre janë në Gjermani”.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se arsyeja e ikjes së mjekëve nga Kosova është politizimi i shëndetësisë.

“Edhe në këtë kohë pandemie ka kërkesa të mjaftueshme të cilët kërkojnë ato vërtetime që të dalin nga Kosova. Tashmë shkaqet janë ka dihen pse po ikin mjekët. Ata po ikin për një jetë më të mirë dhe një zhvillim dhe edukim të vazhdueshëm dhe specializim më të mirë dhe janë të lodhur me politizimin e shëndetësisë. Kërkesat tona i kemi shtesa në pagë bazuar në Ligjin e pandemisë të vazhdojë deri në ligjin e ri të pagave dhe në shëndetësi të rritet buxheti. Duhet të kenë kujdes të gjithë politikanët që buxheti të rritet dhe të ndalohen të gjitha investimet kapitale për këtë kohë sepse nuk ka më të rëndësishme se shëndeti. Të furnizohemi me barna, të krijohen kushte dhe siguri në punë për të gjithë punëtorët shëndetësor, të pajisen me mjete mbrojtëse dhe të kemi një investim të vazhdueshëm. Punëtorët shëndetësor jo që janë të stërlodhur por kam frikë se do të ketë edhe pasoja psikike në të ardhmen”, ka deklaruar Syla.

E Pleurat Sejdiu thotë se profesionistët shëndetësor po përballen me një situatë të vështirë pandemike, duke shtuar se përkushtimi i profesionistëve shëndetësor nuk është shpaguar dhe se në mungesë të mjeteve mbrojtëse po atakohen çdo ditë nga virusi. Mbi 20 punonjës shëndetësorë raportohet se kanë vdekur gjatë betejës me pandeminë COVID-19 dhe mbi 2000 e kanë kaluar virusin.

Sejdiu ka shtuar se gjasat janë që nga qershori të vijë fundi i pandemisë.

“Kjo është vështirë të thuhet sidomos projeksionet më të mira janë maji eventualisht qershori. Shtetet më të avancuara flasim për nivelin e hulumtimeve nuk kanë një projeksion të qartë se kur mund të kemi një çlirim prej kësaj pandemie. Shpresojmë se çështja e vaksinimit do të jetë një numër sa më i madh e cila do të bënte zbritjen e lakores së përhapjes së virusit”, shtoi Sejdiu.