Vjedhja e telefonave në Qendrën Klinike Universitare tashmë është bërë e zakonshme.
Në Klinikën e Pulmologjisë të dielën është raportuar vjedhja e 11 telefonave në dhomat e pacientëve. Ngjarja ka ndodhur pas orës 23 të natës.
Telefoni i është vjedhur edhe kompozitorit Gjergj Kaçinari i cili po qëndron i shtrirë në këtë klinikë. Bashkëshortja e tij, Greta, thotë se është shqetësuar shumë për këtë ngjarje.
“Policia ka qenë këtu dhe e ka intervistuar Gjergjin. Kjo është tentim vrasje dhe duhet të përgjigjen sipas kodit penal”, ka deklaruar ajo për Klan Kosova. Menaxhmenti ka deklaruar se meqë rasti ka ndodhur në vikend nuk kanë asnjë informacion.
Gazeta Shneta ka raportuar vazhdimisht për vjedhjet në hapësirat e QKUK-së. Vitin e kaluar një hajn ishte kapur nga familjarët dhe sigurimi gjatë një tentim vjedhje në Klinikën e Urologjisë. Policia pati arrestuar disa persona për këto vjedhje. /Gazeta Shneta/