Është liruar nga paraburgimi stomatologu, Xhavit Karaxha, i cili u arrestua në muajin gusht si i dyshuar për vdekjen e 35-vjeçare, e cila humbi jetën pasi nxori një dhëmb në ordinancën e tij në Malishevë. Vendimin e ka marr Gjykata Supreme, arsyetimi i së cilës po kundërshtohet nga avokati i familjes së viktimës.
Në gusht të këtij viti 35-vjeçarja, Leonora Shala nga Malisheva gjeti vdekjen pasi kishte kryer një ndërhyrje në dhëmbë në këtë klinikë.
Për këtë arsye, dentisti që kishte bërë ndërhyrjen, Xhavit Karaxha deri të hënën ndodhej në paraburgim.
Por një vendim i Gjykatës Supreme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij.
Ai tash do të mbrohet në liri. Dukagjini ka siguruar vendimin e Gjykatës, në të cilin thuhet se Gjykata e Gjakovës dhe ajo e Apelit nuk kanë ofruar fakte të mjaftueshme që ai të qëndrojë në paraburgim.
“Si gjykata e shkallës së parë, po ashtu edhe ajo e shkallës së dytë me rastin e vazhdimit të paraburgimit nuk kanë dhënë arsye konkrete dhe të pranueshme sa i përket bazave ligjore për vazhdimin e paraburgimit, nëse duhet t’i vazhdohet masa e paraburgimit, për faktin se arsyet që i ka dhënë gjykata e shkallës së parë, e që pothuajse i ka përshkruar dhe gjykata e shkallës së dytë nuk kanë qenë konkret të argumentuara”, thuhet nga Gjykata Supreme.
I ngutshëm e i hershëm po vlerësohet ky vendim nga avokati i familjes së Leonora Shalës.
“Dihet që tash jemi në fazën hetimore dhe ende i njëjti nuk është intervistuar në Prokurori për tu ballafaquar me deklaratën e dhënë në polici dhe po ashtu një numër i dëshmitarëve tjerë nuk janë intervistuar ende dhe gjithashtu provat materiale, siç është raporti i autopsisë akoma nuk është pranuar nga prokuroria as nga ne”, ka thënë Meshari Selimaj – avokat i familjes Shala.
Në ndërkohë, përfaqësuesi juridik i të dyshuarit, Besnik Berisha, këtij vendimi ia kushtoi një status në Facebook ku tha se “Beteja kundër padrejtësisë që goditi stomatologun Xhavit Karaxha me mbajtjen e tij në paraburgim për një veprim që nuk përbën krim, mori goditjen e fundit nga Gjykata Supreme”.
Ordinanca stomatologjike e Karaxhës është vizituar të mërkurën nga televizioni dhe gjatë kohës sa ka qëndruar aty nuk ka parë lëvizje të personave.
Pasi kishte ndodhur rasti, ajo ishte mbyllur përkohësisht.




