Në ordinancën “Pharma Aorta” në Ferizaj ku dyshohet se vdiq një paciente më 25 shkurt, ishte kryer shërbimi i histeroskopisë diagnostike pa pasur licencë nga Ministria e Shëndetësisë. E ndjera para se të vdiste i ishte nënshtruar procedurës së histeroskopisë nga mjeku Heroid Arifi
Ordinanca “Pharma Aorta” në Ferizaj nuk kishte licencë për të kryer shërbimin e histeroskopisë diagnostike, nga Ministria e Shëndetësisë. Kështu ka konfirmuar MSH në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Në këtë ordinancë dyshohet se vdiq një paciente më datën 25 shkurt të këtij viti. Pacientja paraprakisht i ishte nënshtruar shërbimit diagnostik të histeroskopisë tek gjinekologu Heroid Arifi.
Por ky shërbim nuk kishte qenë fare i lajmëruar në Departamentin për Licencim në MSH, dhe sipas gjetjeve të Inspektoratit Shëndetësor, edhe pacientja poashtu nuk ishte regjistruar në regjistër të pacientëve.
“Inspektorati Shëndetësor me datë 27.02.2023 ka kryer inspektim specifik në IPSh “Pharm Aorta” – Ferizaj në lidhje me trajtimin e pacientes S.M. Gjatë inspektimit është konstatuar se në këtë Institucion është ushtruar veprimtari shëndetësore në kundërshtim me Nenin 94, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2 dhe nënparagrafi 1.5 të Ligjit për Shëndetësi Nr. 04/L-125 i plotësuar ndryshuar me Ligjin Nr. 08/L-043 Neni 3 duke ofruar shërbim shëndetësor (emri i shërbimit histeroskopi diagnostike) pa lajmëruar në DLA-Msh dhe duke mos bërë raportimin e të dhënave (nuk është regjistruar pacienti S.M në regjistër të pacientit me datat 13.01.2023, 10.02.2023, dhe 25.02.2023”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga Inspektorati nuk kanë treguar se çfarë masa janë ndërmarr për këtë rast.
Rasti i vdekjes së pacientes është duke u hetuar nga organet e drejtësisë. Për këtë rast është intervistuar nga Policia e Kosovës mjeku Heroid Arifi.
Gazeta ka kontaktuar me Arifin për të marr një sqarim në lidhje me kryerjen e shërbimit pa licencë, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Sqarime nuk kanë dhënë as nga ordinanca “Pharma Aorta”. /Gazeta Shneta/




