Ka vdekur afaristi i njohur Armend Agani, i cili ka qenë njëri nga pronarët e Spitalit privat “Royall Medical”.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, i cili është familjar i afërm i të ndjerit, shkruan Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë nga Agani:
NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Me dhimbje të thellë ju njoftoj se sonte, në Gjermani, ku po trajtohej për një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë Armend Agani, djali i madh i axhës.
Kjo humbje e madhe na ka prekur thellë si familje. Megjithatë, falënderojmë Zotin që jemi besimtarë dhe lutemi që Krijuesi i Madhërishëm të lëshojë mëshirën e Tij mbi shpirtin e Armendit, duke i dhënë familjes sonë forcë dhe durim në këtë moment të rëndë dhe në këtë periudhë të vështirë që kemi përpara.
Për shkak të kësaj humbjeje dhe dhimbjeje të madhe familjare, do të ndërpres aktivitetet e fushatës zgjedhore, për të qenë pranë familjes.
Për detajet lidhur me përcjelljen e Armendit nga kjo botë do t’ju informojmë në ditët në vijim.
Ju falënderoj nga zemra për mirëkuptimin dhe për lutjet tuaja.




