Një fëmijë i moshës 7-vjeçare ka vdekur nga sëmundja e rrallë e fibrozës cistike në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga një qytetare dhe nga Shoqata për Fibrozë Cistike.
Një fëmijë i moshës 7-vjeçare i prekur nga sëmundja e fibrozës cistike, ka vdekur para tre ditësh më 23 shkurt. Lajmi është bërë i ditur nga një qytetare dhe nga Shoqata për Fibrozë Cistike, shkruan Gazeta Shneta.
“Kur vdes një i njohur reagojnë të gjithë, kur vdes një femijë nga mungesa e barnave heshtin e heshtin. Më vjen keq por ndaj rasteve te tilla do te reagoj gjithnjë! Unë nuk do të heshti. Sot një fëmije me fibrozë cistike iku nga kjo botë! Nuk eshte rasti i parë, fatkeqësisht! Ngushellime gjithe familjes M. e D. qoftë në lulet e Xhennetit!”, ka shkruar Vlora Vuqiterna.
“Shpresojmë qe të jetë rasti i fundit qe fëmijët ne vendin tonë vdesin nga mungesa e barnave! Ne vendet e jashtme keta persona te prekur e kane fatin të trajtohen me medikamente si Trikafta e Orkambi , e të jetojnë një jetë krejtësisht normale, e tek ne ku ti marrin prinderit 220 mijë euro ne vit?! A ma jep dikush nje pergjgje?! Apo ndoshta edhe keta prinderit e persona te prekur duhet te ikin nga ky vend per nje te ardhme më te mire?!”, ka shkruar ajo.
Vuqiterna i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të marrin masa sa më shpejt për të siguruar shëndetin e personave të prekur nga fibroza cistike.
“Kur eshtë e mundur të investohen me qindra e mijëra euro në rrugë e projekte tjera është e mundur të investohet në femije, të ndahet një buxhet për këta persona! Në emër të gjithë personave te prekur me fibroze cistike i bej thirrje Qeverisë, Ministrisë së Shëndetesise e gjithë atyre qe e kane barën e votës të ndërmarrin masa sa me shpejt për gjithe personat e prekur me fibroze, nuk eshte diçka qe nuk mund te realizohet duke pasur parasysh qe në vendet fqinje jane duke i marr këto terapi! Le të jetë ky rasti i fundit!”, ka shkruar ajo.
Në Kosovë janë rreth 150 pacientë të prekur nga kjo sëmundje. Disa herë prindërit e fëmijëve të sëmurë kanë protestuar për mungesë të barnave dhe terapisë për këtë sëmundje. /Gazeta Shneta/




