Këshilli Etik i Odës së Mjekëve ka marr vendim që ta heq nga anëtarësimi për një vit gjinekologun Ahmet Payasli për shkak të shkeljeve ligjore që i ka bërë. Ndërsa gjinekologia Hana Çavdërbasha është ndëshkuar me masën disiplinore “qortim publik”. Poashtu të dy janë gjobitur edhe me para
Një vit heqje nga anëtarësimi në Odën e Mjekëve dhe 2 mijë e 500 euro gjobë për gjinekologun Ahmet Payasli. Ky është vendimi i Këshillit Etik të Odës së Mjekëve të Kosovës, në përbërje të Dr. Fejsal Mehmeti, kryetar dhe anëtarët Dr. Afrim Muhaxheri, Dr. Fakete Hoxha e Dr. Gylxhan Hasani. Vendimi i tyre vjen pasi Payasli është gjetur përgjegjës për shkelje ligjore në tri raste, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas vendimit të KE-së i cili mban datën e sotme 29 mars 2019 dhe të cilin e posedon Gazeta Shneta, Payasli ka ofruar shërbime shëndetësore duke mos qenë fare anëtar i OMK-së. Kjo shkelje është vërtetuar nga inspektimet e Inspektoratit Shëndetësor më datë 14.06.2018. Payasli është gjetur përgjegjës edhe për shërbime shëndetësore në ordinancën e tij, si dhe në një klinikë private, duke mos pasur fare licencën valide të punës e cila lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkaq KE e ka gjetur fajtor edhe për ofrim të shërbimit të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor në ordinancën e tij në Prishtinë. “I paraqituri gjatë ushtrimit të veprimtarisë mjekësore ka ofruar shërbime shëndetësore në ordinancën e cila është në pronësinë e të njëjtit pa autorizime paraprake që janë të parapara me legjislacionin në fuqi lidhur me shërbimin e Fertilizimit të Asistuar Mjekësor – FAM dhe me rastin e ofrimit të shërbimit shëndetësor ka lëshuar në emër të institucionit shëndetësor dokumente mjekësore në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin e KE-së të OMK-së.
Me këtë veprim, gjinekologu ka kryer me dashje shkelje të rëndë nga Neni 38,39 dhe 56 të Kodit Etik dhe Deontologjisë Mjekësore, thuhet tutje në vendim.
Ndërkaq gjinekologia Hana Çavdërbasha është gjobitur me një mijë euro, si dhe me masën disiplinore “qortim publik”, pasi nuk ka kryer shërbime shëndetësore sipas kontratës së punës që ka pasur me ordinancën “Payasli”. Kjo shkelje është bazuar në gjetjet gjatë inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor më datë 14.06.2018 në ora 15:50.
Poashtu Çavdërbasha ka ofruar shërbime shëndetësore duke mos qenë anëtare e Odës së Mjekëve.
Vendimi i Këshillit Etik për Payaslin dhe Çavdërbashën vjen pas mbajtjes së dy seancave ku janë prezantuar faktet e Inspektoratit Shëndetësor, si dhe janë dëgjuar fjalët e dy të paraqiturve. /Gazeta Shneta/