Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka njoftuar se sot është vendosur gurthemeli i objektit të ri të Pediatrisë, investim që synon përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe kujdesit shëndetësor për fëmijët në rajonin e Anamoravës.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ky projekt paraqet një zotim për avancimin e shëndetësisë publike dhe krijimin e kushteve më moderne për pacientët dhe stafin mjekësor.
“Ky rast është dyfish më i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për Pediatrinë, ku fëmijët do të marrin shërbimet e nevojshme”, deklaroi Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projekte të ngjashme do të vazhdojnë edhe në institucione të tjera shëndetësore, me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve për pacientët.
Ndërkohë, drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, vlerësoi bashkëpunimin me drejtuesit e Spitalit të Gjilanit, duke theksuar se objekti i ri do të krijojë kushte moderne dhe më funksionale për trajtimin e fëmijëve.
Edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Afrim Cana, tha se projekti paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të sistemit shëndetësor dhe zgjerimit të shërbimeve pediatrike.
Sipas tij, objekti i ri do të pajiset me infrastrukturë moderne dhe hapësira të përshtatshme për diagnostikim, trajtim dhe kujdes profesional për fëmijët.
Udhëheqësi i Shërbimit të Pediatrisë, Sadik Rashiti, deklaroi se me nisjen e këtij projekti hapet një kapitull i ri për Pediatrinë në Gjilan, me synimin që fëmijët të trajtohen në ambiente moderne dhe dinjitoze.
Sipas njoftimit, investimi për ndërtimin e objektit të ri kap vlerën prej 996 mijë e 687 eurosh dhe është inicuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Objekti do të ndërtohet në një sipërfaqe mbi 1 mijë metra katrorë dhe do të përfshijë të gjitha kushtet e nevojshme për ofrimin cilësor të shërbimeve shëndetësore.




