Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Vetmia tek adoleshentët: Një shqetësim global që ndihet edhe në Kosovë

Lajme 03/08/2025
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

“Ne jemi qenie sociale dhe kemi nevojë për socializim”.

Psikologia Shkurte Bajgora e përsërit këtë disa herë për ta theksuar rëndësinë e lidhjeve ndërnjerëzore për mirëqenien emocionale.

E angazhuar si psikologe tash e dhjetë vjet, ajo thotë se shpesh ka vërejtur se ndjenja e vetmisë te të rinjtë në Kosovë nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e njerëzve rreth tyre.

“Në takimet e para, gjithmonë thonë ‘kam shumë shoqëri’, por kur e diskutojmë më thellë, ato lidhje janë zakonisht shumë sipërfaqësore”, thotë Bajgora, e cila është edhe asistente në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo i pesti adoleshent në botë ndihet i vetmuar – dukshëm më shumë sesa të moshuarit.

Në mesin e 44 vendeve të përfshira në raport, është vërejtur një rritje e ndjeshme e ndjenjës së vetmisë nga viti 2018 në vitin 2022, veçanërisht pas pandemisë COVID-19. Të dhënat tregojnë se vajzat janë më të prira të ndihen të vetmuara sesa djemtë.

Edhe pse mungojnë të dhëna specifike, Bajgora thotë se ky është një problem që është i dukshëm edhe në Kosovë.

Ajo thotë se periudha e adoleshencës është veçanërisht e ndjeshme dhe shumë të rinj kanë nevojë për një person që i dëgjon. Në mungesë të një lidhjeje të tillë, sipas saj, ndjenjat mbahen brenda dhe bëhen më të rënda për t’u përballuar.

“Është shumë në rregull të mos ndihesh mirë dhe hala më në rregull të kërkosh ndihmë”, thotë ajo, duke përmendur se stigmat për kërkimin e ndihmës psikologjike, janë ende të pranishme.

Bajgora është e angazhuar në platformën “Mbështetu”, një shërbim online për ndihmë psikologjike falas dhe anonime.

Platforma ka nisur gjatë pandemisë si linjë telefonike dhe tani funksionon përmes ueb-faqes shendetimendor.org.

“Tash po më bëhen dhjetë vjet e më shumë në fushën e psikologjisë dhe në fillim ka qenë ajo perspektiva që te psikologu shkon vetëm kush ka çrregullime. Automatikisht, stigmat i kanë bllokuar qytetarët të kërkojnë ndihmë”, thotë Bajgora.

Rrjetet sociale, sipas saj, e kanë përkeqësuar problemin e vetmisë. Ajo thotë se këto platforma mund të japin iluzionin e socializimit, por shpesh nuk arrijnë ta plotësojnë nevojën për lidhje emocionale të vërtetë.

Me të pajtohet edhe Bajram Ilazi, nga organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE).

“Unë jetoj në një fshat të Shtimes dhe e shoh që, tash, lagjet nuk janë më të mbushura me fëmijë që luajnë, siç kanë qenë më herët”, thotë Ilazi.

Ai flet edhe për forma të tjera të vetmisë, jo vetëm asaj fizike, e që ai i sheh te të rinjtë e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Thotë se vetmia te komunitetet minoritare është e shumëfishtë dhe nis qysh nga pragu i shtëpisë.

“Një pjesë e madhe e fëmijëve të komuniteteve rriten pa ëndrra, sepse në momentin kur ata ëndërrojnë të bëhen mjek a diçka, ndonjë familjar u thotë ‘qysh bre fëmija i ma***pit të bëhet mjek?’”, thotë Ilazi.

Edhe kur janë të rrethuar me të tjerë, shumë të rinj të komuniteteve ndihen të përjashtuar, për shkak të frikës nga paragjykimet, thotë ai.

“Ky është një lloj vetmie tjetër, vetmia kur ti nuk ndihesh i lirë t’i shprehësh mendimet tua ose të thuash krejt ato që i ndien”, thotë Ilazi.

Sipas tij, mungesa e gjithëpërfshirjes institucionale ndikon që të rinjtë të mos ndihen të mirëpritur në shkolla apo ambiente të tjera publike.

Ai shton se projektet për përfshirje sociale janë shpesh të varura nga fonde të jashtme dhe, në mungesë të këtyre fondeve, ato lihen anash nga institucionet.

“Më pengon dhe më dhemb shumë në zemër që nuk shihet prej drejtorive e mësimdhënësve se sa e rëndësishme është gjithëpërfshirja dhe që duhet të synohet edhe kur s’ka ndonjë projekt”, thotë Ilazi.

Frika se mund të mbesin të izoluar e të papranuar nga të tjerët, ka bërë që shumë fëmijë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjitpian ta fshehin etninë e tyre, sipas tij.

Raporti i OBSH-së thekson se ndjenja e vetmisë mund të ndikojë në cilësinë e jetës, shëndetin mendor dhe rezultatet në arsim.

Sipas raportit, vetmia nuk është vetëm një çështje emocionale, por një problem shëndetësor publik. Ajo mund të kontribuojë drejtpërdrejt dhe tërthorazi në vdekje të parakohshme, përmes ndikimit në trup dhe mendje.

Për shembull, vetmia thuhet se rrit nivelin e stresit kronik, që ndikon në sistemin kardiovaskular, mund të shkaktojë mendime për vetëvrasje, lidhet me rënie të funksioneve kognitive etj.

Shpeshherë, sipas raportit, vetmia shoqërohet me ushqyerje të parregullt, mungesë të gjumit dhe mungesë të aktivitetit fizik, të cilat ndikojnë negativisht në jetëgjatësi.

Për këto arsye, Bajgora shpreson se vitet e ardhshme në Kosovë do të sjellin edhe më shumë vetëdijesim për rëndësinë e shëndetit mendor.

“Unë e kuptoj që kur ju dhemb diku fizikisht, shkoni te mjeku. Hajde për shëndet mendor… të mos e lëmë veten të vijmë në një pike ku ti veçse je i rraskapitur, nuk ke më energji, nuk mund ta bësh një bisedë, e atëherë të kërkosh ndihmë”, thotë Bajgora./REL/

Artikulli paraprakSëmundjet serioze të mëlçisë nga alkooli janë dyfishuar në 20 vitet e fundit
Artikulli i rradhës OKB thotë se një milion gra dhe vajza vuajnë nga uria në Gaza

Ju sugjerojmë

Katër të lënduar nga përplasja e veturës me motoçikletë në Istog

22/07/2026 Lajme

Testi i drogës, Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

22/07/2026 Lajme

Delegacionet nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vizitojnë Kosovën për të mësuar modelin e Programit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme

22/07/2026 Lajme

Punësohen 25 anesteziologë të rinj, zbutet mbingarkesa në spitale

22/07/2026 Lajme

Shkelje të rënda të kushteve të punës, Inspektorati mbyll 6 kantiere ndërtimi në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

22/07/2026 Lajme

Komunat kërkojnë ndihmë urgjente pas stuhisë: Dëmet mbi 1 milion euro në Suharekë, shtatë shkolla të dëmtuara në Malishevë

22/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.