“Virusi H5N1 i gripit të shpendëve ka gjithçka që i duhet për të shkaktuar një pandemi,” paralajmëroi virologu i OBSH-së, Klaus Stöhr, për agjencinë DPA.
Sipas Institutit Friedrich Loeffler, që nga shtatori në Gjermani janë regjistruar 31 shpërthime të virusit në fermat e shpendëve dhe 131 raste tek zogjtë e egër – një përhapje e pazakontë për kaq herët në vit. Deri tani, mbi 500 mijë shpendë janë asgjësuar, kryesisht në Gjermaninë Lindore, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Instituti e përshkruan gripin e shpendëve si sëmundje tepër ngjitëse dhe fatale për shumë specie.
Me afrimin e sezonit të migrimit, pritet që virusi të përhapet edhe më tej, ndaj rreziku vlerësohet “i lartë”.
Stöhr thekson se infektimi i njerëzve mbetet i rrallë, por kujdesi është jetik: “Mos prekni zogjtë e ngordhur, mbajeni qenin pranë dhe njoftoni menjëherë shërbimin veterinar.”
Presidenti i Shoqatës së Industrisë së Shpendëve, Hans-Peter Goldnick, paralajmëron për mungesa të mundshme të vezëve dhe mishit, ndërsa ministri i Bujqësisë, Alois Rainer, kërkon rritjen e kompensimeve për fermerët.
Ndërkohë, Komiteti i Përhershëm i Vaksinimit (Stiko) rekomandon vaksinimin kundër gripit sezonal për punonjësit që kanë kontakt me shpendë, për të shmangur infeksionet e dyfishta.
“Qëllimi është të parandalohet një variant i ri që mund të kalojë te njerëzit dhe të shkaktojë një pandemi të re,” theksoi Thomas Preis nga Shoqata e Farmacistëve Gjermanë. /Gazeta Shneta/




