Italia ka regjistruar dy viktima dhe të paktën 32 raste të virusit të Nilit Perëndimor gjatë vitit 2025, mes një rritjeje të rasteve në Evropën Jugore këtë verë.
Virusi përhapet kryesisht përmes pickimeve të mushkonjave të infektuara, zakonisht gjatë muajve të ngrohtë. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit të Italisë (ISS), shumica e rasteve janë shënuar në provincën e Latinës, në rajonin e Lacios, rreth 100 kilometra në jug të Romës.
Në raportin javor të publikuar të enjten, ISS thekson se:
“Trendi epidemiologjik është në përputhje me atë të viteve të kaluara, ndërsa shpërndarja gjeografike e virusit duket mjaft e ndryshme.”
Raste të virusit janë raportuar gjithashtu edhe në Piemonte, Veneto, Emilia-Romagna dhe Campania. Midis rasteve të konfirmuara deri tani, dy kanë përfunduar me fatalitet: një në Fondi dhe tjetra në provincën e Novarës.
Anna Teresa Palamara, drejtoreshë e departamentit të sëmundjeve infektive në ISS, ka theksuar se virusi është prezent në Itali prej vitesh: “Virusi i Nilit Perëndimor ka qenë endemik në vendin tonë për disa vite tani”, tha ajo, duke shtuar se janë marrë masa për të mbrojtur kundër përhapjes së tij.
“Le të kujtojmë se 80 përqind e rasteve të infeksionit të Nilit Perëndimor janë asimptomatike dhe rreziku i pasojave serioze është më i madh për njerëzit më të ndjeshëm.”
Rajoni i Lacios raportoi të enjten 12 raste të reja pas analizave të kryera nga Instituti Kombëtar “Lazzaro Spallanzani” për Sëmundjet Infektive në Romë.
Sipas ISS-së, ethet e Nilit Perëndimor i përkasin familjes së viruseve Flaviviridae, të cilat u izoluan për herë të parë në vitin 1937 në distriktin e Nilit Perëndimor në Uganda.
Rezervuarët kryesorë të virusit janë zogjtë e egër dhe mushkonjat, më shpesh të tipit Culex, pickimet e të cilave janë forma kryesore e transmetimit tek njerëzit. ISS sqaron se nuk ka rrezik të infektimit nga personi në person.




