Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj ka konfirmuar se një nga qytetarët e infektuar me variantin Omicron, ka kërkuar trajtim mjekësor në këtë klinikë
Vishaj në një konferencë të mbajtur për medie, ka thënë se ai ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës Pfizer dhe ka shfaqur gjendje stabile.
Ai më tej ka sqaruar se pacienti kishte ardhur nga ShBA-ja me test negativ dhe se pas testimeve në Kosovës ka rezultuar pozitiv me Omicron.
“Pacienti ka qenë i vaksinuar, ka bërë teste në ShBA ka dal negativ, kur ka ardhur te ne e kemi marrë testin Covid-19. Ai ka dal me pozitiv Omicron. Ky qytetarë e ka pasur edhe bashkëshorten, shpresojë që sa më shpejt të rikuperohet”.
“Në Klinikën Infektive ka qenë një pacientë i cili ka kërkuar trajtim dhe kolegët nga ambulanca e pranimit kanë marrë mostrën. Klinikisht gjendja e tij e përgjithshme ka qenë stabile dhe për këtë arsye pacienti është lëshuar në shtëpi”.
“Ne aktualisht nuk kemi pacientë të hospitalizuar me variantin Omicron, por jemi duke i trajtuar 4 pacientë të cilët janë me Covid-19 pozitiv. Ne e kemi analizuar në mënyrë detale aspektet klinike dhe aspektet klinike kanë qenë manifestime të një Covid me formë të lehtë klinike. Ky pacientë tri ditë më përpara ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara, ku atje edhe punon”.