Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia së bashku me Sekretarin e MSH-së Naim Bardiqi kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media ku kanë njoftuar se kanë zbuluar dyshimet se një dokument i kompanisë “Pharma Leader” i dorëzuar në tenderin për insulina është fallso.
Sipas ministrit Vitia bëhet fjalë për dokumentin “Statement” të cilin kompania “Pharma Leader” e ka prezantuar si dokument nga kompania “Pharma Trade” në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij dokumenti “Pharma Leader” ka aplikuar në tenderin për insulina. Por sipas Vitisë dyshohet se ky dokument është fals, shkruan Gazeta Shneta.
“Operatori ekonomik e ka ofruar një dëshmi ‘statement’ nga ‘PharmaTrade’ në gjuhën angleze dhe me qëllim të konfirmimit të kësaj shkrese MSH ka kontaktuar përmes shkresave elektronike me kompaninë ‘Pharma Trade’ në Maqedoni. Nga ana e kësaj kompanie kemi pranuar përgjigjen se dëshmia e ofruar nga ‘Pharma Leader’ nuk është valide dhe se ata nuk kanë ofruar asnjëherë këtë dëshmi”, ka deklaruar Vitia.
“Në pyetjen tonë nëse prodhuesi amerikan “ElliLilly” janë në dijeni për përmbajtjen e kësaj shkrese, përgjigja është se as prodhuesi nuk është në dijeni të një shkrese të tillë që kompania e ka ofruar në MSH. Bazuar në këtë korrespodencë operatori ekonomik “Pharma Leader” dyshohet se ka ofruar dokument të falsifikuar gjë që konsiderohet si vepër penale sipas Kodit Penal, Neni 390 është e përcaktuar vepra penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vjet”, ka thënë Vitia.
Ministri ka deklaruar se kjo situatë e tregon pse kompania “Pharma Leader” nuk ka aplikuar asnjëherë për të marr Autorizim Marketingun për insulina në AKPPM.
“Kompania në fjalë nuk ka dashur të aplikoj për Autorizim Marketing sepse nuk kanë pasur leje nga prodhuesi amerikan. Pyetja që shtrohet këtu është se nga do t’i merrnin insulinat. Produkte fallco apo çfarë? Këto prova i kemi dorëzuar në Policinë e Kosovës për hetim të mëtutjeshëm dhe të gjitha provat i kanë organet e hetuesisë”, ka thënë Vitia. /Gazeta Shneta/




