Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia bashkë me mikrobiologun Xhevat Jakupi gjatë ditës së sotme kanë mbajtur një konferencë ku kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Jakupi ka thënë se 80 deri 90 për qind e rasteve në Kosovë janë me variantin Delta
Vitia ka thënë se në Kosovë gjatë ditëve të fundit është shënuar rritje e numrit të rasteve pozitive, gjë që do të reflektojë në rritjen e rasteve aktive e rrjedhimisht edhe shanset për t’u shtuar rastet e reja, shkruan Gazeta Shneta.
“Delta është varianti dominues në Evropë. Ne duhet të përdorim instrumentet për parandalimin e kësaj situate. Kemi marr masa deri më tani. Arma jonë e vetme kundër Covid është vaksinimi, por poshtu duke respektuar edhe rekomandimet dhe masat tjera”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka thënë se qytetarët nuk duhet të kenë asnjë arsye për të hezituar ndaj vaksinimit. “Jemi ende larg përfundimit të pandemisë. Hezitimet për tu vaksinuar do ta përkeqësojnë situatën”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër drejtori i Laboratorit Mikrobiologjik në IKSHPK, Dr. Xhevat Jakupi, ka thënë se 80 deri në 90 për qind e rasteve pozitive në Kosovë janë të variantit Delta.
Jakupi ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen pasi vaksinat mbrojnë nga ky variant. /Gazeta Shneta/