Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, sot ka takuar kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin.
Vitia ka vazhduar me vizitat në funksion të rritjes së kapaciteteve shëndetësore, me theks të veçantë realizimit të investimeve kapitale të cilat do të realizohen nga Ministria e Shëndetësisë, përcjell Gazeta Shneta.
Ndër të tjera, Vitia u prit në takim nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me të cilin bashkëbiseduan lidhur me projektet të cilat do të ngrisin cilësinë dhe gamën e shërbimeve për qytetarët e Komunës së Drenasit.
“Temë kryesore e bisedës ishte ndërtimi i QKMF-së, por edhe mundësitë tjera që qytetarëve t’u ofrohet infrastrukturë cilësore në nivelin primar të shëndetësisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e njoftoi ministrin Vitia se sivjet është dyfishuar buxheti komunal në sektorin e shëndetësisë, si dhe e informoi se në këtë komunë shërbimet shëndetësore ofrohen nga 40 mjekë dhe 94 infermierë në QMF-të e Drenasit.
Që të dy u dakorduan për një bashkëpunim më efektiv sa i përket aspektit infrastrukturor apo edhe të furnizimit me pajisje shëndetësore që do të jenë në shërbim të qytetarëve. /Gazeta Shneta/