Ministri i Shëndetësisë së Kosovës (MSH), Arben Vitia, ka njoftuar se ka filluar për herë të parë, Skriningu Neonatal për sëmundjet e rënda dhe gjenetike tek të porsalindurit.
Vitia, përmes një njoftimi ka thënë se gjatë ditës së djeshme ka filluar trajnimi i stafit në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK dhe spitaleve rajonale për kryerjen e testimit.
“Ky test i thjeshtë, i cili realizohet brenda 24-48 orëve pas lindjes, ndihmon në zbulimin e hershëm të shumë sëmundjeve. Sëmundje që mund të mos kenë shenja menjëherë, por që mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës në të ardhmen”, potencohet tutje në njoftim.
Ndër të tjera, kjo nismë është cilësuar si arritja më e rëndësishme në mjekësinë parandaluese, me theks të veçantë me ndikim në uljen e vdekshmërisë dhe komplikimeve te foshnjat e porsalindura. /Gazeta Shneta/




