Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se para një kohe, jo shumë gjatë nga sot, Klinika e Kardiologjisë Invazive nuk ka pasur listë të pritjes sepse sipas tij pacientët janë adresuar në klinikat private.
Vitia ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës. Ai është pyetur nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu pse ka listë të pritjes në shërbimin e Kardiologjisë Invazive, në kohën kur ka pasur rekord të koronarografive dhe stentimeve, shkruan Gazeta Shneta.
Vitia ka thënë se arsyeja pse më herët është prezantuar se nuk ka listë të pritjes, është se pacientët janë adresuar në klinikat private.
“Arsyeja pse më herët është prezantuar se nuk ka listë të pritjes, jo fort kohë të gjatë nga dita që po flasim. Më herët rrethi i Prishtinës ka vluar nga shumë klinika private që janë marr me kardiologji invazive. Secili pacient që ka shkuar dhe nuk ka mujt me marr shërbimin në QKUK, menjëherë është adresuar në njërën nga këto klinika. Dhe natyrisht se lista e pritjes ka qenë pothuajse zero. Tashmë shumica prej atyre klinikave janë mbyllur dhe nuk operojnë si më herët”, ka deklaruar Vitia. /Gazeta Shneta/




