Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se për rastet urgjente nuk ka lista të pritjes në QKUK dhe as në spitalet e përgjithshme rajonale.
Vitia në seancën e sotme të Kuvendit, në kuadër të pyetjeve parlamentare, tha se listat e pritjes mbi një vit janë vetëm në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe asaj të Ortopedisë.
Pasi u pyet nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ministri i Shëndetësisë tregoi në detaje përqindjen e listave të pritjes nga një javë deri në një vit.
“Përmbi 1 vit janë vetëm dy klinika që kanë lista të pritjes, është Kirurgjia Vaskulare dhe Ortopodedia. Kurse pjesa tjetër, një pjesë e madhe 0.2 për qind është deri në një javë, 18.5 për qind është deri në një muaj, 1.8 për qind është deri në dy muaj, 2.1 për qind deri në tre muaj po flas në total, kurse 23 për qind është 1 deri 5 muaj, 11 për qind është 1 deri 6 muaj, 11 për qind është 11.6 muaj dhe 15 për qind është deri në 1 vit, pa e përmendur atë pjesën tjetër që shkon mbi 1 vit. Kurse ju siguroj edhe juve dhe qytetarët që të shkoni të vërtetoni. Secili rast urgjent nuk ka asnjë ditë apo orë të pritjes si rast urgjent as në QKUK dhe as në spitalet e përgjithshme në regjione”, tha ai.