Ministri i Shëndetësisë dr. Arben Vitia ka vizituar sot Klinikën Infektive në QKUK dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Vitia ka takuar drejtoreshën e Dr. Lindita Ajazi-Berisha dhe stafin e klinikës së Infektivës të cilët i ka falënderuar për angazhimin e tyre maksimal për përballimin e situatës me koronavirus, pas konfirmimit të dy rasteve ditën e djeshme, shkruan Gazeta Shneta.
“Jemi në një betejë, sot ju jeni ushtarët që duhet me mbrojt vendin. Angazhimi juaj do të jetë reflektim se sa shpejt do të mund ta tejkalojmë këtë situatë. Unë nuk dyshoj se ju do ta jepni maksimumin. Në situata të tilla jemi keq me staf mjekësor dhe nuk mundemi t’i bëjmë lirimet që janë kërkuar. Prandaj ua kemi lënë në dorë menaxhmentit që pa e cënuar funksionimin e punës të bëjnë zgjidhje”
“Jemi në situatë alarmi dhe kërkoj sinqerisht mirëkuptimin e juaj sepse nuk mund të bëjmë shkurtime sepse po na duhet secili punëtorë shëndetësorë. Për këtë arsye kemi angazhuar edhe pensionistët”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka thënë se qëllimi i vizitës së tij ishte të inkurajonte stafin në këtë situatë të ndjeshme, por “po dal i frymëzuar nga ju”, është shprehur Vitia. Ministri ka deklaruar se do të jenë në gjendje gatishmërie për t’i plotësuar të gjitha nevojat e stafit mjekësor.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik ministri është pritur nga drejtori Prof. Dr. Naser Ramadani dhe shefi i Laboratori Dr. Xhevat Jakupi. Vitia ka falënderuar stafin e Institutit teksa ka qëndruar në dhomën ku kryhen thirrjet telefonike në numrin emergjent të krijuar për nevojat e situatës me koronavirusin. Ai ka thënë se pa angazhimin e profesionistëve të IKSHPK-së nuk do të mund të përballohej kjo gjendje. /Gazeta Shneta/