Mjekët pa Kufij (MSF) kanë njoftuar vdekjen e bashkëpunëtorit të tyre Hussein Alnajjar, i cili ishte plagosur pesë ditë më parë gjatë një sulmi ajror izraelit dhe ka ndërruar jetë dje në Gaza.
Sipas deklaratës së organizatës, Alnajjar, i cili punonte si infermier në klinikat e Deir al Balah dhe Khan Younis që nga janari 2024, u godit gjatë një sulmi izraelit pranë tendës së tij. Në të njëjtin sulm u plagosën edhe kunata dhe nipi i tij.
“Nuk bëhet fjalë për një aksident tragjik, por për një dëshmi tjetër se në Gaza nuk ekziston asnjë vend i sigurt,” thuhet në deklaratën e MSF-së, e cila e cilësoi Alnajjar-in si bashkëpunëtorin e trembëdhjetë palestinez të vrarë që nga fillimi i luftës.
Përpara se të punonte si infermier, Alnajjar kishte shërbyer si teknik sterilizimi në spitalin Al Awda, në një projekt për rindërtimin e gjymtyrëve.
Ai ishte babai i tre fëmijëve, më i madhi nga katër vëllezër dhe mbështeste financiarisht studimet e njërit prej tyre në Egjipt.
MSF shprehu “indinjatën për faktin që dhuna ushtarake vazhdon të vrasë kolegët tanë palestinezë” dhe kërkoi “rivendosjen e menjëhershme të armëpushimit dhe mbrojtjen e civilëve”.
Që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza, qindra punonjës mjekësorë kanë humbur jetën, ndërkohë që spitale, klinika dhe qendra ndihme janë shkatërruar, dhe aksesimi i barnave dhe furnizimeve mjekësore është bllokuar.




