Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku ka dal sot në një konferencë për media ku ka kritikuar punën e Qeverisë Haradinaj. Ajo ka vlerësuar se mandati gati 2-vjeçar i Uran Ismailit të PDK-së është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Këto kritika të saj vijnë vetëm dy ditë pas mbajtjes së një konference tjetër të VV-së ku Ismaili u kritikua ashpër për gjendjen në shëndetësi
“Ministria e Shëndetësisë mbetet si një nga dështimet më të mëdha të ish-Qeverisë. Ajo është përgjegjëse për cilësinë e jetës në këtë vend. Ish-ministri i Shëndetësisë ka sjellë vetëm një projektligj, për të mos thënë zero sepse projektligji për transfuzionin e gjakut ka qenë nga mandati i kaluar dhe ka qenë i gatshëm”, ka deklaruar Kollçaku.
Ajo ka thënë se ish-ministri Ismaili kishte thënë se do të bëhet fondi i sigurimeve shëndetësore, para se të bëhen protokollet gjë që sipas saj, është e pamundur dhe prandaj dështuan.
“Ata nuk e dinin se as çfarë deklaronin dhe sot jemi pa sigurime shëndetësore, jemi të privuar nga të drejtat bazike. Than se do ta rishikonin ligjin për sigurime shëndetësore dhe ligjin për shëndetësi, por dështuan. Poashtu nuk e realizuan as revidimin e Listës Esenciale”, ka deklaruar Kollçaku.
“Kosova sot nuk ka ligj për transplantimin e organeve, ndonëse shkenca dhe teknologjia ka përparuar. Pacientët tanë nuk mund ta kryejnë një transplant të veshkës në QKUK dhe këtë e bëjnë në vendet e rajonit”, ka thënë deputetja.
Ismaili i PDK-së është kritikuar ashpër edhe para dy ditësh nga dy anëtarë tjerë të VV-së, Dr. Baton Kelmendi dhe Dr. Arben Vitia. /Gazeta Shneta/