Kryetarja e Washington, DC, Muriel Bowser, ka shpallur zyrtarisht 17 shkurtin 2026 si “Kosovo Independence Day” në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në dokumentin e shpalljes theksohet se që nga deklarimi i pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka bërë përparim të dukshëm në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, përcjell Gazeta Shneta.
Proklamata nënvizon gjithashtu lidhjen e veçantë dhe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, partneritet të qëndrueshëm dhe respekt të ndërsjellë.
Në tekst përmendet edhe kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën kulturore dhe qytetare të Washington, DC, si dhe bashkëpunimi me Ambasadën e Republikës së Kosovës në shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë.
“Prandaj, unë, Kryetarja e Washington, DC, shpall 17 shkurtin 2026 si ‘Kosovo Independence Day’ në Washington, DC”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Muriel Bowser.
Kjo shpallje përforcon edhe një herë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën dhe marrëdhëniet e forta mes dy vendeve. /Gazeta Shneta/




