Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka kërkuar më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore që veprojnë në kuadër të MSH-së.
Zemaj ka takuar sot krerët e AKPM-së, IKSHPK-së, SHSKUK-së, inspektorateve, FSSHK-së, të cilëve iu ka kërkuar më shumë përgjegjësi, llogaridhënie dhe profesionalizëm, transmeton Gazeta Shneta.
“Inspektoratet përkatëse të vazhdojnë monitorimin, inspektimin, këshillimin, rekomandimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj të gjitha institucioneve shëndetësore, sipas ligjit”, ka deklaruar Zemaj.
Postimi i tij i plotë:
Angazhim me përgjegjësi, llogaridhënie, profesionalizëm.
Sapo përfundova takimin me drejtuesit e agjensioneve që veprojnë në kuadër të MSh-së, që janë: Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike/IKSHPK, Inspektorati Shëndetësisë, Inspektorati Farmaceutik, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, Sistemi Informativ Shëndetësor/SISH, SHSKUK-ja, etj. Biseduam për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe ngritjen e përgjegjësisë së ofruesve të shërbimeve shëndetësore. Nga drejtuesit e agjensionëve kërkova që palët e përfshira në sektorin shëndetësor të punojnë me përgjegjësi, llogaridhënie, profesionalizëm. Inspektoratet përkatëse të vazhdojnë monitorimin, inspektimin, këshillimin, rekomandimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj të gjitha institucioneve shëndetësore, sipas ligjit. Biseduam edhe për funksionimin e IKSHPK, ku po bëhet një punë mbinjerëzore. IKSHPK do të rris kapacitetet për testime dhe do të decentralizohet procesi i testimeve edhe në QRSHP në qytetet e mëdha.
Së bashku të angazhuar për një popullatë të shëndosh!