Ish-ministri Armend Zemaj tani deputet në Kuvend, ka thënë se në dy vitet e fundit ka pasur zgjedhje të drejtorëve me ndikime politike. Kjo sipas tij është bërë me ndikim nga Bordi.
Këtë deklaratë Zemaj e ka dhënë gjatë raportimit të ministrit Arben Vitia. Ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë, shkruan Gazeta Shneta.
“Askush më shumë sesa ju në këtë tavolinë nuk mund të më mirëkuptoni sepse keni qenë vet ministër dhe ju e dini sa shumë është folur edhe në kohën tuaj edhe në kohën tonë për ndikime politike dhe mund të them se shumica e atyre fjalëve nuk janë të vërteta”, ka deklaruar Vitia.
Por Zemaj më pas ka shtuar se deklarata e tij kishte të bënte me emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të SHSKUK-së në komisionet përzgjedhëse.
“Kryetarja e Bordit në komisione përzgjedhëse, kjo është ndërhyrje sikur ministri ta vendos veten në komision”, ka deklaruar Zemaj.
Disa akuza të ngjashme për ndikime në përzgjedhjen e drejtorëve Zemaj dhe deputetë të tjerë të komisionit i kanë bërë edhe më parë. /Gazeta Shneta/




