Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj është deklaruar sot për shkarkimin e drejtorit të SHSKUK-së Basri Sejdiu nga Bordi Drejtues për të cilin ka thënë se është vendim për t’u përshëndetur.
Madje Zemaj ka shkuar më larg duke thënë se shkarkimi duhet të përcillet me veprime konkrete për të vënë drejtësi, shkruan Gazeta Shneta.
“Shkarkimi i drejtorit Basri Sejdiu është vendim për t’u përshëndetur dhe duhet të përcillet me veprime konkrete për të vënë drejtësi dhe për të qartësuar situatën e krijuar. Ne do të jemi transparent dhe do të kërkojmë transparencë të plotë në mënyrë që të mos krijohen paqartësi tek qytetarët”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka shtuar se secili do t’i bartë përgjegjësit që i takojë dhe në ditët në vazhdim do të bëjmë publike edhe veprimet e tjera konkrete.
Zemaj poashtu ka folur edhe për rastin e vdekjeve të dyshimta në Klinikën Infektive, për çka ka deklaruar se ka kërkuar raport nga prokuroria.
“Si ministër i Shëndetësisë brenda kompetencave që më takojnë kam kërkuar raportin nga prokuroria për rastin që ka ndodhur në Klinikën Infektive dhe nga organet e tjera të drejtësisë dhe jam në koordinim të plotë me to. Asnjëherë nuk duhet të ngutemi me deklarime politike për këtë situatë pasi askujt nuk i bënë favore situata e tilla, kështu që duhet të jemi të matur me qëndrime dhe drejtësia ta bëjë punën e saj”, është shprehur Zemaj. /Gazeta Shneta/