Një studim i ri ka zbuluar se 11 lloje të kancerit po bëhen më të shpeshta tek të rinjtë në Angli, ndërsa faktorët e zakonshëm të stilit të jetesës nuk mjaftojnë për ta shpjeguar këtë rritje.
Hulumtimi, i realizuar nga Institute of Cancer Research dhe Imperial College London, analizoi rastet e kancerit nga viti 2001 deri në vitin 2019 tek personat e moshës 20 deri në 49 vjeç.
Sipas studimit, rritje është vërejtur në këto lloje kanceri:
kanceri i gjirit
kanceri i zorrës së trashë
kanceri i pankreasit
kanceri i veshkave
kanceri i mëlçisë
kanceri i tëmthit
kanceri i tiroides
mieloma multiple (kancer i gjakut)
kanceri oral
kanceri i endometriumit
kanceri i vezoreve
Studiuesit theksojnë se për shumicën e këtyre kancereve, rritje është vërejtur edhe tek moshat më të vjetra, por dy prej tyre – kanceri i zorrës së trashë dhe ai i vezoreve – janë rritur vetëm tek të rinjtë.
Ekspertët analizuan faktorët kryesorë të rrezikut si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, dieta, aktiviteti fizik dhe pesha trupore.
Sipas tyre, këta faktorë shpjegojnë vetëm një pjesë të rasteve (nga 7% deri në 65%, varësisht nga lloji i kancerit).
Ndërkohë, shumica e këtyre rreziqeve nuk janë rritur në dekadat e fundit tek të rinjtë. Përkundrazi, pirja e duhanit dhe konsumimi i mishit të përpunuar kanë rënë, ndërsa aktiviteti fizik është përmirësuar.
Obeziteti mbetet përjashtimi kryesor, pasi ka shënuar rritje, por studiuesit theksojnë se as ky faktor nuk e shpjegon plotësisht shtimin e rasteve të kancerit.
Sipas studiuesve, këto rezultate tregojnë se faktorët e njohur janë vetëm një pjesë e problemit dhe se duhet të hulumtohen shkaqe të tjera të mundshme.
Ata përmendin si mundësi faktorë të rinj rreziku, ekspozime në moshë të hershme, si dhe ndikimin e diagnostikimit më të hershëm dhe programeve të skriningut.
Ekspertët bëjnë thirrje që përpjekjet për parandalim të vazhdojnë, duke theksuar se pabarazitë sociale mbeten faktor i rëndësishëm, pasi obeziteti dhe duhanpirja janë më të përhapura në komunitetet me kushte më të vështira ekonomike./Gazeta Shneta/


