Ministria e Shëndetësisë është udhëhequr nga 11 ministra që nga formimi i Qeverisë së parë pas zgjedhjeve të mbajtura pas luftës në Kosovë. Nga 11 ministra, dy prej tyre kanë përfunduar me aktakuza në gjykata, ndërsa vetëm dy nga 11-të janë gra
Ministri i parë që ka udhëhequr me Shëndetësinë është Numan Baliq i ardhur në këtë pozitë nga minitoritetet. Pas tij kanë vazhduar edhe Resmije Mumxhiu dhe Sadik Idrizi, të dy poashtu nga partitë minoritare, shkruan Gazeta Shneta.
Nga viti 2007 deri më 2010 pozitën e ministrit të Shëndetësisë e mbajti Alush Gashi. Pas tij në Qeverinë Thaqi 2, u emërua Bujar Bukoshi i cili mbajti poashtu edhe pozitën e zv.kryeministrit.
Bukoshit më pas iu ngrit aktakuza për korrupsion së bashku me 10 zyrtarë tjerë të lartë të MSH-së, përfshirë edhe ish-sekretarin Ilir Tolaj.
Pas Bukoshit erdhi Ferid Agani. Periudha e menaxhimit të Aganit njihet si një nga fazat kur janë miratuar më së shumti ligje e akte nënligjore në shëndetësi. Megjithatë edhe Agani ka përfunduar në gjykatë si i akuzuar për keqpërdorim të detyrës në rastin Stenta 1, e madje i njëjti u dënua edhe me burg.
Imet Rrahmani (LDK), mjeku nga Gjilani e udhëhoqi MSH-në nga viti 2014 deri më 2017, kurse pas tij erdhi Uran Ismaili nga PDK. Ky i fundit ishte ministri i vetëm i Shëndetësisë deri atëherë që nuk ishte mjek me profesion. Ismaili menaxhoi MSH-në nga 2017 deri në fillim të vitit 2020.
Arben Vitia e mori ministrinë e Shëndetësisë vetëm pak ditë para se të fillonte pandemia Covid-19. Vitia ishte ministër në Qeverinë Kurti 1 dhe 2. Ai dha dorëheqje të shtunën pasi u kandidua për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit.
Armend Zemaj, një ministër i Shëndetësisë poashtu me profesion tjetër, jurist. Edhe Zemaj u përballë me pandeminë pasi erdhi në këtë pozitë në qershor 2020.
Krejt në fund është Dafina Gexha-Bunjaku e cila aktualisht është duke mbajtur pozitën e ushtrueses së detyrës së ministres. Ajo është epidemiologe dhe vjen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/




