Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se gjatë 48 orëve të fundit në këtë institucion kanë lindur 14 foshnja, prej tyre shtatë djem dhe shtatë vajza.
Sipas raportit të publikuar nga spitali, krahas shërbimeve në repartin e gjinekologjisë dhe obstetrikës, gjatë kësaj periudhe është regjistruar edhe një numër i madh i shërbimeve të tjera mjekësore për pacientët.
Gjatë ditës janë realizuar 668 vizita mjekësore, ndërsa janë pranuar 65 pacientë për trajtim spitalor. Aktualisht, në repartet e spitalit janë të shtrirë 332 pacientë.
Në laboratorët e spitalit, 309 pacientë kanë kryer gjithsej 3,086 analiza laboratorike, ndërsa janë realizuar edhe 20 operime.
Shërbime të vazhdueshme janë ofruar edhe në repartet diagnostikuese dhe terapeutike. Sipas statistikave, janë kryer 72 hemodializa, 150 rëntgen, 48 echo dhe 14 MRI.
Po ashtu, janë realizuar 15 ehografi, nëntë ergometri dhe nëntë gastroskopi, ndërsa në repartin e fiziatrisë janë kryer 38 procedura fiziatrike dhe shtatë vizita në fizioterapi.




