Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006, pas sëmundjes së rëndë të kancerit.
Disa muaj para 21 janarit, Rugova do të dilte para mediave për të njoftuar qytetarët se vuan nga sëmundja e rëndë e kancerit në mushkëri. I ndjeri po trajtohej nga mjekët amerikanë, fillimisht në kampin Bondsteel, e më pastaj në bazën ushtarake amerikane në Landstuhl të Gjermanisë, shkruan Gazeta Shneta.
“Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri, prandaj më kanë caktuar një terapi intensive shëruese. Gjithashtu mjekët kanë konstatuar se tani gjendja ime shëndetësore është duke u përmirësuar dhe janë optimistë për shërimin tim të shpejtë”, kishte deklaruar Rugova.
“Jam i bindur se me ndihmën e Zotit do të kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë, Kosovës, sa më parë nga miqtë tanë amerikanë e evropianë. Pres përkrahjen Tuaj, si gjithmonë. Zoti Ju bekoftë! Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës! Zoti e bekoftë Kosovën!”, kishte thënë ai në vitin 2005. /Gazeta Shneta/




