Gazetari që mbulon fushën e shëndetësisë, Albani Selimi, ka reaguar pas publikimit të rezultateve paraprake për disa pozita drejtuese në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës duke sqaruar se bashkëshortja e tij nuk ka aplikuar në konkursin për Udhëheqës të Divizionit për Konteste Ligjore.
Në një reagim të bërë në rrjetin social “Facebook”, Selimi ka bërë të ditur se emri i kandidates së kualifikuar për këtë pozitë, Vlora Selimi, është vetëm një përputhje emrash me bashkëshorten e tij.
“Sot kanë dalë rezultatet për disa pozita të larta në SHSKUK. Ndër to edhe për pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Konteste Ligjore, ku është kualifikuar një zonjë me emrin Vlora Selimi. Emri i kësaj zonje është vetëm koincidencë me emrin e bashkëshortes sime. Pra, Vlora, bashkëshortja ime, nuk ka aplikuar në këtë pozitë”, ka shkruar ai.
Selimi ka thënë se e ka ndjerë të nevojshme të bëjë këtë sqarim pasi, sipas tij, ditëve të fundit dhe veçanërisht pas publikimit të listës, është pyetur nga miq, kolegë dhe punonjës të SHSKUK-së lidhur me këtë çështje.
Ai ka theksuar se brenda institucionit kanë qarkulluar pretendime se ai dhe bashkëshortja e tij kinse kanë synuar këtë pozitë.
“Po e ndaj këtë informatë sepse shumë persona më kanë pyetur dhe më kanë treguar se po qarkullon një informatë brenda SHSKUK-së se paskemi ‘targetuar’ këtë pozitë”, ka deklaruar Selimi./Gazeta Shneta/
Postimi i plotë:


