Lisa Mehmeti jeton me diabet tip 1 prej 15 vitesh. Që nga mosha 6-vjeçare, ajo ka pasur nevojë për kujdes të vazhdueshëm për të menaxhuar nivelin e glukozës në gjak.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, ajo rrëfen se diagnostikimi me diabet ka qenë një përvojë shumë e vështirë. Ishte gjyshja e saj që vuri re se simptomat e Lisës i ngjanin atyre të diabetit.
“Kam pasur shumë probleme në diagnostikim, kam pasur nevojë të ndryshojë katër pediatra, sepse ata nuk e dinin çfarë ishin ato simptoma që kisha deri sa gjyshja ime më tha: ‘Pse nuk po e bën analizën e sheqerit?’, dhe menjëherë e bëra analizën dhe kuptova që isha me diabet tip 1”, thotë ajo.
Ndërkohë, tregon se në përballjen me diabetin ka pasur një mbështetje të madhe nga familja, por jo nga institucionet.
“Në shkollë publike më kanë detyruar të fsheh faktin që jam me diabet. Më kanë detyruar të shkoj në banjo për të marrë insulinën dhe për të matur glukozën, ndërsa kushtet kanë qenë të mjerueshme. Por, pasi e ndryshova shkollën dhe kalova në një shkollë private, isha më e lirë të tregoj të tjerëve që isha një vajzë me diabet dhe përkrahja ka qenë shumë më e madhe,” vazhdoi tutje Lisa.
Tani, Lisa është themeluese e organizatës “Tip1omël”, e cila ka si qëllim mbështetjen e personave me diabet tip 1.
“Duke i parë të gjitha sfidat që kam kaluar unë dhe 800 fëmijë të tjerë, e kemi themeluar organizatën ‘Tip1omël’ që ka për qëllim vetëdijësimin, mbështetjen e personave me diabet tip 1 dhe avokimin për kushte më të mira në Kosovë,” shton ajo.
Teksa, u bën thirrje autoriteteve shtetërore që të mbulojnë pajisjet teknologjike për fëmijët, duke u lehtësuar kështu jetën.
“Thirrja ime për Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet është me fillu me na mbulu këto shpenzime se këto paisje nuk janë lluks po janë shumë nevojshme për neve”, përfundon Lisa.
Për këto dhe detaje të tjera ndiqni videon më poshtë:




