Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjie në QKUK, realizohen mbi 40 për qind e lindjeve në tërë Kosovën. Kjo klinikë është qendër referente edhe për rastet e rënda nga spitalet rajonale si dhe klinikat private.
Në KOGJ kryhen rreth 20 operacione brenda një dite, ku përfshihen edhe lindjet cezariane. Brenda një dite në këtë klinikë kryhen deri në 45 lindje, prej të cilave rreth 35 për qind janë me operacion cezarian, shkruan Gazeta Shneta.
Drejtori i klinikës Dr. Jakup Ismajli në një intervistë për Gazetën Shneta, e ka konsideruar si vit të suksesshëm 2019-ën. Ai tregon se gjatë vitit të lam pas është kryer renovimi i klinikës nga jashtë, ndërsa brenda janë bërë riparime që kanë ndikuar në përmirësimin e komoditetit të pacienteve.
“Klinika është furnizuar me tetë ultrazë nga menaxhmenti i SHSKUK-së dhe tani secili repart e ka ultrazërin e ri gjë që ka ndikuar në përmirësimin e dukshëm të shërbimeve”.
“Poashtu sa i përket pajisjeve, klinika është furnizuar edhe me një laparaskop të ri. Më herët janë bërë intervenime sporadike tani janë pothuajse rutinore dhe mund të përmendim edhe intervenimin e parë të histeroktomisë me laparaskop”, ka deklaruar Ismajli.
Gjinekologu ka thënë se këtë vit synojnë t’i avancojnë intervenimet endoskopike në mënyrë që të realizohen të gjitha rastet ku ka mundësi me histeroskopi dhe laparaskopi.
Ndërkaq një projekt që ka filluar dhe pritet të realizohet këtë vit, është fillimi i shërbimit të frytnimit të asistuar mjekësor. Kjo do të ishte hera e parë që fekondimi in vitro do të kryhej në një institucion publik në Kosovë dhe rajon.
“Është në proces realizimi i projektit për frytnim të asistuar mjekësor dhe laboratorit. Kemi premtime nga drejtoria dhe ministria që do të na mbështesin në këtë projekt, i cili është planifikuar në nivel nacional. Inxhinierët e QKUK-së e kanë bërë fizibilitetin dhe i kemi dërguar kërkesat për pajisje. Specialistët i kemi, dy embriologë dhe një specialiste që ka ardhur nga Turqia. Besoj se në vitin 2020 do të fillojmë për herë të parë me IVF në institucionet publike në rajon”, ka deklaruar Ismajli.
Ai ka bërë të ditur se ky shërbim nuk është paraparë që të rimbursohet nga sigurimet shëndetësore, por pacientet do të ngarkohen me participim të pjesshëm. /Gazeta Shneta/