Dyshimet për parregullësi sa i përket fletlëshimeve dhe pagesave për koronarografi dhe stentime në Klinikën e Kardiologjisë, detyruan Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) të kërkojë formimin e një komisioni për vlerësimin e mënyrës së administrimit të dokumentacionit mjekësor, të grumbulluar ndër vite në Klinikën e Kardiologjisë.
Nga e gjithë kjo rezultoi se problem kryesor në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, del të jetë mostërheqja e fletlëshimeve dhe mospagesa për koronarografi dhe stentime nga një numër i madh i pacientëve, të cilët i kanë marrë sherbimet në këtë klinikë.
Nga të dhënat e deritanishme del se për dy vjet 2022-2023 rreth 60 pacientë të cilët kanë marrë shërbime në Klinikën e Kardiologjisë, si koronarografi dhe stentime, kanë dalë nga klinika pa e bërë pagesen për shërbimin që morën. Shifër kjo që arrinë me mijëra euro. Një burim brenda SHSKUK-së i ka thënë “Indeksonline”, se dëmi që i është shkaktuar Klinikës së Kardiologjisë nga mos pagesa e këtyre pacientëve, arrijnë rreth 30 mijë euro.
Mirëpo kjo nuk është e tëra. Pasi që këto janë vetëm disa nga gjetjet fillestare, pasi që dyshohet se lista e pacientëve që kanë dalë pa bërë pagesën në Klinikën e Kardiologjisë, është dhe më e gjatë.
E përveç kësaj, Klinika e Kardiologjisë përballet dhe me një problem tjetër. Në të gjeturat e komisionit ndër të tjera thuhet se kjo klinikë po funksionon pa punëtorë administrativ, pasi që nga ndarja e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë, punëtorja administrative e cila ka mbuluar të dy klinikat, ka kaluar në Kardiologji dhe se me historitë e pacientëve nuk po merret askush, me arsyetimin se nuk e kanë për detyrë të merren me këtë punë.
Dokumentacionin e plotë mund ta gjeni këtu.