Mbrëmja e djeshme ka qenë e vështirë për mjekun kujdestar Samir Bytyqi në klinikën e Oftalmologjisë në QKUK.
Ai pranoi një pacient vetëm 3 vjeç, i cili kishte pësuar lëndime në sy gjatë përdorimit të fishekzjarrëve.
Dr. Bytyqi tregon se fëmija kishte pësuar djegie në fytyrë si dhe zhveshje të corneas (xhamit të syrit). Kjo e fundit mund ta lë pacientin e vogël me pasoja në shikim në të ardhmen, shkruan Gazeta Shneta.
“Fatmirësisht lëndimi nuk ishte shumë i rëndë, por mund ta lë me pasoja në shikim. Duhet ta përcjellim gjendjen nëse do të mbetet ndonjë defekt pasi mund ta pengojë shikimin në të ardhmen”, ka deklaruar mjeku.
Ai ka shpjeguar tutje se 3-vjearit do t’i ekzaminohet nervi i syrit, për të parë nëse mund të ketë gjakderdhje nga presioni.
Bytyqi, i cili është specializant, thotë se ky ishte rasti i dytë gjatë ditës së djeshme me lëndime në sy gjatë përdorimit të fishekzjarrëve.
Ai thotë se në anamnezën e pacientëve është deklaruar se kanë qenë prindërit ata që ua kanë blerë fishekzjarrët.
Prandaj mjeku ka apeluar që të mos festohet me fishekzjarrë në mënyrë që të ruhet shëndeti i fëmijëve. /Gazeta Shneta/