38 vite mami, gruaja që i shpëtonte bebet duke ua dhënë gjakun e vet (Video)

2017-03-12 në ora 13:37

Ardhja në jetë e një foshnjeje është një nga emocionet më të forta dhe më të bukura.  Por ato nuk i përjetojnë vetëm prindërit e të afërmit. Vule Gjeta prej 38 vitesh jeton me emocionet e lindjes së një jete të re. Si mamie ajo ka pritur në duart e saj mijëra bebe që nga viti 1979 kur ishte vetëm 19 vjeçe.

“Sidomos ditët e para i mbaj mend shumë, shumë mirë. Ka qenë vetëm një mjek, ka qenë Fadil Sinani dhe kanë qenë momentet më të vështira se nuk kishim dhe kushte. Venim me ambulanca dhe i merrnim në krahë nëpër fshatra. Që në lindje, kemi dhënë gjak vetë, gjak rrugës për të shpëtuar jetën e fëmijëve. Operacionet bëheshin me eter dhe eterin e merrnim dhe vetë dhe në shtëpi nuk hapnim dot sytë nga gjumi”, thotë Vule Gjeta, Kryemamie në maternitetin e Librazhdit.

Por cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha me të cilat Vulja është përballur?

“Elbasanin e kemi pasur rrugë përditë kur kishte raste të vështira. Kurse Tirana, kur kujtoi Qafë Krrabën më ngjethet mishi. Sa e sa gra kanë lindur rrugës. Nuk bënte vaki të iknim pa kompletin e lindjes. Ishim mami dhe shoqëruesit na bëheshin personel që na ndihmonin për të pritur një lindje. Ka pasur baballarë pa numër. Kam pasur një rast këtu në qytet. Kemi pritur bashkë me burrin te ura lindjen. Ishte bora deri në gju”, rrëfen Vule Gjeta.

Por më i vështirë do të ishte viti i mbrapshtë 1997 kur edhe lindja e fëmijëve bëhej nën kërcënimin e armëve.

“Kam pas një rast që nuk e harroj deri në momentin e fundit që më ka bërë vdekje klinike. Një grua nga Prrenjasi fshat. Atë nuk e harroj.Gruaja shpëtoi. I bëri reaksion lidokaina dhe dësh më vdiq. Atë rast nuk e harroj. Ka qënë ’97 dhe isha në kërcënimin e armës, dhe nëse më dëgjon bashkëshorti se jeton në Greqi, ja uroj të ketë jetë të gjatë, se më shpëtoi, nuk më vrau se deshte të më qëllonte”, kujton mamia.

Por Vulja e do këtë profesion, pavarësisht rrugëtimit të gjatë dhe vështirësive të hasura gjatë tij.

“Kur një grua ka bërë 5-6 aborte e më pas bëhet nënë është kënaqësi e madhe. Barra binjake, barra trinjake, një barrë trinjake patëm vitin e kaluar, kënaqësi e madhe”, tregon ajo.

Me kurajon e një mamie me eksperiencë të gjatë Vulja ka bërë edhe atë që pak kush do guxonte. Ka marrë përsipër lindjen e vajzës së saj.

“Unë për fëmijën tim kam asistuar në lindje. Vajza ime ka lindur me operacion, kam përshkuar tërë operacionin, tërë lindjen, i kam ndejtur në kokë. Ajo kishte dhe kushte më komode, mund të lindte dhe në qytetin ku është martuar, po unë e mora të lindte në Librazhd, me mjekët e Librazhdit se kishte besim te mjekët e shokët e mi”, rrëfen Vulja.

Të gjithë eksperiencën e saj Vule Gjeta e ka në Maternitetin e Librazhdit, ajo tashmë pret foshnjat e atyre nënave që ka pritur dikur dhe ndërsa pensioni po afrohet Vules do t’i mungojë gjithçka nga ky vend, puna e përditshme, vështirësitë e saj, kolegët dhe e qara e parë e jetës së çdo fëmije. /TopChannel